ZALLAHIA DHE PAPËRGJEGJËSIA E POLITIKËS

Në një kohë tejet të vështirë mbarëglobale nga pandemia “corona virus”, sot qytetari i Kosovës ka më shumë drojë, dhimbje e pasoja nga politika se sa nga COVID19. Absurditet i llojit te vet. Por, pse? Sepse, qe 20 vjet nocioni “përgjegjësi” për këta politikanë shënjon vetëm një fjalë leksiku.

Papërgjegjësia e tyre ndaj qytetarit kaloi kufirin e çdo logjike. Me avanturat e politikanëve tanë u step bota, paçka se kancelaritë europiane u lutën ditë e natë që të mos ndodhë ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.

Nëse nocionin “përgjegjësi” e kuptojmë si përgjigje të kënaqshme të njeriut në një situatë në të cilën gjendet, dhe një nocion të tillë së paku pjesërisht e përjashtojmë prej formës paradigmatiko- ligjore dhe etike, atëherë me lehtësi do të mund të hyjmë në fushat e ndryshme semantike. Ky është diskursi teorik i shkencëtares së politikës, Hannah Arendt.

Por, duhet ta dimë se koncepti i përgjegjësisë rrjedh nga një koncept i nivelit më të lartë, e ai eshtë koncepti i detyrës-obligimit. Andaj kush ka marrë detyra, duhet t`i kryejë ato, e kur i kryen pastaj ose ka faj ose ka merita. Koncepti i përgjegjësisë personale, në një mjedis të tillë krahasimi do t`i kundërvihet konceptit të përgjegjësisë politike, veçanërisht prej vargut të pafajësisë kolektive e deri te faji kolektiv.

Përgjegjësia personale faktikisht këtu është e bazuar në fuqinë e gjykimit. Gjykimi problematik, siç e quan Arendt, ndodh atëherë kur fuqia e tij nuk është në rregullat e përgjithshme të miratuara të sjelljes. Njeriu si ekzistencë, atëherë në mënyrë të pashmangshme i afrohet një shqyrtimi të veçantë të origjinalitetit të tij.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.