Të dielën më 9 prill në ora 20:45 në TV Dukagjini dhe më pas edhe në kanalin zyrtar në YouTube do të transmetohet dokumentari për vrasjen e Elvis Pistës, dokumentar që prodhohet nga Zona Express.
Një nga emisionet më të shikuara shqiptare, Zona Express, ka realizuar në muajt e fundit dokumentarin për vrasjen e Elvis Pistës.
Rahoveci24 mëson se ka tash e disa muaj që Zona Express po realizon dokumentarin për ish kandidatin për deputet nga radhët e PDK-së dhe menaxherin e lartë në PTK, Elvis Pistën.
Në një njoftim Gazeta Express ka konfirmuar se ka ekzistuar një kërkesë nga hetues të Policisë së Kosovës që ky dokumentar të mos transmetohet.
Megjithatë, kryeredaktori i Gazetës Express dhe autori i emisionit dokumentar, Zona Express, Leonard Kërçuki, me këmbëngulje ka konfirmuar në llogarinë e tij në Facebook se do të publikohet ky dokumentar i cili pritet me pa durim që të transmetohet nga rahovecianët.
Ai që konsiderohet si hero nga i gjithë qyteti i Rahovecit, Elvis Pista, u vra më 15 qershor të vitit 2014 në mënyrë makabre prapa shpine në dalje të restaurantit “Jaha” pasi festoi ditëlindjen e bashkëshortes bashkë me miqtë e tij vetëm një javë pas zgjedhjeve nacionale ku Elvis Pista garoi si kandidat për deputet dhe shkruajti historinë me numrin më të madh të votave të mbledhura në histori për PDK-në në Rahovec. /Rahoveci24/