Për herën e 15-të më radhë, adhuruesit e kulturës së vreshtave dhe verës do të mblidhen në Rahovec, mes datave 2 dhe 4 shtator, për të marrë pjesë në festën e vjeljes së rrushit – “Hardh Fest”.
“Festivali ndër vite ka ndryshuar duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë. Përveç aktiviteteve tradicionale këtë edicion do e karakterizojnë aktivitetet e reja si: Gara në shpejtësinë e vjeljes së rrushit, karnavali i qytetit të rrushit dhe DJ promo skenat në qytet. Këtë vit gjithashtu është bërë edhe zbulimi i obeliskut HardhFest dedikuar qytetit të rrushit dhe të verës, i cili do të jetë monumenti simbol i festivalit në edicionin e 15-të jubilar të tij”, tregon për Gazetën Zëri Emrullah Spahiu, kryesues i Këshillit të Festivalit.
Ai bën të ditur se agjenda e festivalit për tri ditë dhe dy net është shumë e pasur me aktivitete kulturore dhe artistike, por edhe rekreative e sportive. Përveç pjesës ceremoniale apo zyrtare që njihet si “prerja ceremoniale e kalaveshit të rrushit” dhe që simbolizon hapjen e sezonit për vjelje të rrushit, vizitorët do të kenë mundësinë të dëgjojnë muzikë tradicionale, të shohin parakalimin e mekanizmave bujqësorë, të marrin pjesë në karnavalin e qytetit të rrushit dhe të vizitojnë panairin e verës dhe prodhuesve duke degustuar të gjitha llojet e verërave si dhe t’i vizitojnë vreshtat e Rahovecit.
“Pika kulmore e Festivalit konsiderojmë që do të jetë koncerti n’Konak, ku do të performojnë artistë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra, Suedia etj. Grupet e njohura rok, si Elita 5 dhe Troja do të jenë ndër performuesit kryesorë, duke mos anashkaluar edhe grupin nga Suedia “Loud and Proud”, grup ky i cili do të promovojë albumin ekskluzivisht në ‘Hardh Fest’”, thotë Spahiu.
Qëllimi i festës së vjeljes së rrushit këto 15 vite, ishte dhe do të mbetet promovimi i kulturave bujqësore, respektivisht vreshtave, rrushit dhe produkteve të saja. Por jo vetëm, qëllimi i këshillit organizativ dhe HardhFest-it është edhe promovimi i punës vullnetare, promovimi i turizmit për trashëgimi kulturore, trashëgimin e objekteve të kultit dhe arkeologjike të cilat janë të shumta në komunën e Rahovecit.
“Këshilli organizativ, fton të gjithë lexuesit tuaj që datat 2,3 dhe 4 shtator, t’i rezervojnë për ‘Hardh Fest’ dhe të shohin nga afër këtë organizim, sepse kanë çfarë të shohin dhe përjetojnë”, shprehet Spahiu.
Sipas Spahiut, “Hardh Fest”, në bashkëpunim me partnerin kryesor të Festivalit, bodrumin Stone Castle, kanë ftuar dhe kanë marrë konfirmim për pjesëmarrje për gjatë ditëve të festivalit nga stërmbesa e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Sofie Kastrioti, e cila përfaqëson brezin e 14 të familjes Kastrioti.
Duke përfshi edhe partnerin kryesor të Festivalit, Stone Castle, deri më sot pjesëmarrjen në panairin e Festivalit e kanë konfirmuar mbi 15 prodhues të verës, prodhues vendorë me prodhime artizanale si dhe disa kompani nga jashtë, të cilat janë përfaqësues të inputeve të ndryshme bujqësore. Gjithashtu pjesë e panairit do të jenë edhe vreshtarët, të cilët do të ekspozojnë rrush tryeze në fshatin vreshtar dhe vizitorët do të kenë mundësinë që të informohen mbi variatetet dhe produktin e rrushit.
“Sfidë për Këshillin organizativ është tejkalimi i Festivalit të vitit të kaluar, duke rritë kualitetin e aktiviteteve dhe numrin e vizitorëve, e që vitin e kaluar sipas llogaritjeve tona dhe institucioneve të sigurisë ishte mbi 20.000 vizitorë”, thotë Spahiu.
Në anën tjetër, drejtori kreativ i Festivalit, Agi Haxhimurati, thotë për Gazetën Zëri se obelisku që e kanë punuar sivjet është bërë ikonë e festivalit.
“Ky obelisk është gërshetim i tradicionales dhe modernes. Vetë tapa tradicionale tregon ‘hapjen e shishes’, hapjen e festës”, tregon Haxhimurati.
Ai për Gazetën Zëri shpjegon edhe atë se çfarë kanë menduar të shprehin me sloganin e veçantë “Për kokërr t’qefit”.
“Sivjet slogani është argëtues dhe tentojmë që ta kthejmë në zhargon si p.sh ‘Pse po vjen në Hardh Fest?’ ‘Për kokërr t’qejfit’. ‘Pse po pin?’ ‘Për kokërr t’ qejfit’. Pra çdo gjë sivjet bëhet për kokërr të qejfit”, thotë Haxhimurati.
Një prej komponentëve më të rëndësishme të Festivalit edhe këtë vit mbeten vullnetarët, kryesisht të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës. Njëkohësisht të gjithë anëtarët e Këshillit organizativ janë të angazhuar dhe japin kontributin e tyre profesional në baza vullnetare.
Festivali ka mbështetjen e Kuvendit Komunal të Rahovecit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe organizohet nën patronatin e dy institucioneve të lartpërmendura.