Provimi Shtetëror i Maturës është mbajtur edhe në pesë objekte shkollore të Rahovecit.
Drejtoria e Arsimit ka njoftuar se provimi është kaluar me sukses dhe në të kanë marrë pjesë 583 maturantë të 3 shkollave të mesë të larta dhe të shkollës së mesme profesionale.
Sipas drejtorisë, procesi u mbajt duke respektuar masat e rekomanduara kundër pandemisë.
“Në 5 objekte shkollore të komunës sonë, sot u mbajt me sukses Provimi Shtetëror i Maturës. Në këtë proces morën pjesë 583 maturantë të 3 Shkollave të Mesme të Larta dhe të Shkollës së Mesme Profesionale. Para fillimit të Provimit të Maturës dhe gjatë gjithë kohës së mbajtjes së tij, u respektuan masat mbrojtëse ndaj pandemisë, me ç’rast, nxënësit, komisionerët, kujdestarët dhe udhëheqësit e Qendrave të Testimit, mbajtën maska dhe ruajtën distancën fizike ndaj njëri tjetrit. Në hyrje të objekteve të shkollave por edhe më korridore dhe në secilën klasë kishte të vendosur dezinfektues”, thuhet në njoftim.
“Procesi i Provimit të Maturës Shtetërore në Komunën e Rahovecit u zhvillua normalisht dhe nuk pati asnjë problem. Shëndet dhe suksese maturantëve!”, thuhet në fund.