Komuna e Rahovecit finalizon synimin e kahmotshëm, licensohet Zona Ekonomike në Opterushë

Drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Rahovecit, Artan Asllani, ka njoftuar se është finalizuar synimi 19-vjeçar i Komunës për licensimin e Zonës Ekonomike, e cila do të vendoset mbi fshatin Opterushë.

Duke e quajtur këtë arritje si një prej më të rëndësishmeve të Komunës së Rahovecit, Asllani ka thënë se zona ekonomike do të sjell përfitime financiare për banorët e zonës dhe për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se, me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, zona ekonomike mund të funksionalizohet së shpejti.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Ashtu edhe siç jeni njoftuar më parë, Komuna e Rahovecit tashmë ka finalizuar synimin 19 vjeçar Licencimin e Zonës Ekonomike si një ndër vendimet më të rëndësishme për perspektivën ekonomike të komunës sonë, zonë kjo e cila gjindet mbi fshatin Opterushë.

Komuna e Rahovecit, si zonë e rëndësishme ekonomike, agrare dhe industriale, është një nga zonat që sjellin përfitime financiare për banorët e zonës dhe për buxhetin e Republikës së Kosovës, prandaj konsiderojmë se, krijimi i një zone të lirë ekonomike është hap i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë në përgjithësi.

Me themelimin e Zonës Ekonomike, respektivisht Parkut Industrial në Opterushë përmbushet një kërkesë e kahmotshme e bizneseve të komunës së Rahovecit për një hapësirë të lirë ku do të zhvillohen veprimtari të ndryshme ekonomike.

Gjatë vitit 2019, kemi bërë rrethimin e një hapësire të kësaj zone por, duke pasur për bazë buxhetin e limituar të komunës së Rahovecit, nuk kemi arritur të bëjmë investime të tjera.

Kemi kërkuar ndihmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës , e cila ka buxhet të paraparë dhe ka obligim të kontribuoj për financimin e parqeve industriale në Kosovë, por kemi marrë përgjigje se në vitin 2020 nuk është planifikuar buxhetim për këtë zonë. Kemi kërkuar me ngulm, andaj shpresojmë se me rishikimin e buxhetit të kemi një përkrahje brenda këtij viti, poashtu, presim që gjatë vitit 2021 të marrim buxhet shtesë për funksionalizimin e kësaj zone.

Si Komunë jemi të përkushtuar që në një të ardhme të afërt të krijojmë qasjen e duhur dhe të nevojshme, për rregullimin e infrastrukturës së Zonës Ekonomike – Parkut Industrial në Opterushë, sigurisht këtë synojmë ta arrijmë edhe me ndihmën e donatorëve vendor dhe ndërkombëtar, poashtu me krijimin e kësaj zone ekonomike kemi për qëllim nxitjen dhe inkurajimin e investimeve të investitorëve të huaj dhe vendor, bizneseve vendore, të cilat do të vendosen në këtë zonë, duke mundësuar kështu edhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Për fund, shpresojmë që së shpejti të arrijmë të bëjmë funksionalizimin e kësaj zone, sepse ne e kemi synim realizimin e këtij premtimi të kahmotshëm e që në qeverisjen tonë besojmë ta bëjmë një epiqendër të zhvillimit ekonomik.

Artan Asllani, drejtor për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.