Këto ditë mësohet fati i KB Rahovecit për edicionin 2019/2020

Shtëpia numër një e basketbollit kosovar, para pak çastesh, me një komunikatë për media ka konfirmuar se momentalisht shëndeti është emërues i përbashkët i të gjithëve, andaj sporti s’është parësor.

Sipas kësaj komunikate, FBK-ja po angazhohet maksimalisht që të kujdeset për shëndetin e secilit sportist duke respektuar në përpuethshmëri të plotë rregullat e vëna nga autoritetet qeveritare, ndërsa sa i përket fatit të këtij edicioni, atë që po e pret me padurim ta mësojë edhe KB Rahoveci, pritet të vendoset këto ditë, pra më së largu deri të martën, përcjell Rahoveci24.

Ata kanë deklaruar se muaji Mars do të jetë vendimtar sa i përket kësaj çështjeje, andaj na mbetet të presim dhe të shohim verdiktin final.

Të dashur basketbolldashës, komunitet i basketbollit në Kosovë,

Të dashur qytetarë,

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është duke i përcjellë me vëmendje të shtuar të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë COVID-19.

Si pothuajse të gjitha aktivitetet tjera në shoqërinë tonë, e edhe anembanë globit, edhe sporti ynë i zemrës basketbolli është ndikuar shumë nga pandemia COVID-19.

Megjithatë për momentin ne duhet të adaptohemi me realitetin e ri të krijuar në të gjithë botën dhe në të njëjtën kohë duhet që të ndjekim me kujdesin më të madh të mundshëm të gjitha këshillat e autoriteteve në vendin tonë në mënyrë që së bashku ta fitojmë edhe këtë betejë, e që kësaj radhe është me një armik më dinak dhe të padukshëm.

Ne do ta kalojmë këtë sfidë së bashku, por derisa të vijë ajo ditë është e rëndësishme duhet t’i zbatojmë masat e udhëzuara nga autoritetet në vendin tonë, pra të qëndrojmë në shtëpi dhe në këtë mënyrë do të kujdesemi për veten dhe për njëri-tjetrin.

Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e saj, me basketbollistët e Përfaqësueseve të Kosovës, si dhe me grupet tjera të interesit të FBK-së, dhe i gëzohet faktit se të gjithë janë shëndosh e mirë, kurse uron që të vazhdojë të jetë kështu deri në fund të kësaj beteje.

Gjithashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me FIBA-n, ndërsa stafi i zyrës ekzekutive është duke punuar nga shtëpitë e tyre në detyrat që na presin si shtet organizues i Kampionatit Evropian për grupmoshën U16, Divizioni C, i planifikuar të mbahet prej 11 deri më 19 Korrik 2020.

Me kujdes të shtuar po i vëzhgojmë edhe zhvillimet në federatat simotra sa u përket garave dhe Bordi i FBK-së do të vendosë ditëve në vijim për fatin e garave që organizohen nën ombrellën e saj. Këtë vendim do ta marrim gjatë muajit mars dhe në bashkërendim me autoritetet e Republikës sonë.

Mesazhi i Federatës së Basketbollit të Kosovës është i qartë: mirëqenia e popullatës në përgjithësi dhe e komunitetit të basketbollit në veçanti është dhe do të mbetet prioriteti ynë gjatë kësaj periudhe të rëndë. Prandaj ju lutem kujdesuni dhe ndiqni këshillat e autoriteteve profesionale të vendit tonë që po e bëjnë të pamundurën për ta luftuar armikun global në këto ditë të rënda. Disa thonë që sporti është gjëja më e rëndësishme dytësore në jetë. Edhe ne që sportin e kemi pasur në rend të parë në jetët tona, në këtë kohë pa kohë duhet të pajtohemi me këtë thënie sepse është e qartë se shëndeti dhe mirëqenia janë në rend të parë.

Ndeshjet e basketbollit do të kthehen së shpejti, edhe atë më fuqishëm se kurdoherë më parë!

Ndërkohë, ju lutem pranoni urimet e mia dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës për shëndet të mirë dhe tejkalim sa më të lehtë të kësaj situate.

I juaji,

Arben FETAHU

Kryetar

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.