Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke thënë se ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
Në Kosovë ka rënë numri i rasteve të reja me koronavirus derisa në anën tjetër është rritur i personave të shëruar, por kjo nuk do të thotë se qytetarët mund të dalin lirshëm në rrugë.
Distanca sociale, mbajtja e maskave dhe higjiena maksimale duhet të vazhdojnë të respektohen nga qytetarët pavarësisht lehtësimit të masave të fundit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe IKSHPK kërkon nga inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim.
“Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Akoma nuk ka kaluar rreziku, andaj qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën. Mbani distancë fizike për së paku dy metra.
Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj”, thuhet në deklaratën e IKSHPK-së.