Gjuha fashiste e deputetit

Shkruan: Ali Dula

Ka disa ditë që disa deputetë të rinj të LDK-së duke konsumuar qëndrim e leksik politik, ngarendin se cili më mirë dhe më fortë po i del myhyb Isa Mustafës. Ky është qëndrim poltronist karshi të parit të partisë. E njëri ndër ta është edhe deputeti D. Selmanaj i cili pa pardon në T7 shpërfaq arrogancën ku përmes retorikës fashiste përdorë kontekstin e analogjisë së sistemeve e liderëve politikë.

Komunikimi politik snobist i këtij deputeti ushtrohet më shumë për tingëllima fonetike se sa për ndonjë përmbajtje semantike. Duke qenë në delirin e gjuhës së tij, si dikur kur fliste me ambalazhë analisti por që ishte thellësisht partiash, tashti kapërcen edhe në stadin e fashizmit retorik duke e vënë theksin e barazimit të liderit të VV-së me Hitlerin, apo edhe me Erdoganin! E pse jo, kur ky tashmë jep teori edhe për rreziqet e globit nga alienët!!!

E para: Hitleri ka qenë totalitarist, që domethënë përtej stadi të një autokrati. Sipas shkencëtares Hannah Arendt, në sistemet totalitare nuk ka qenë i mundur të zhvillohet brenda tyre asnjë aksion serioz kundërshtimi.  Pra, totalitarizmi ështe regjim politik bazuar në një ideologji të plotë dhe terrorit që kontrollon të gjitha aspektet e jetës njerëzore.  Ka dallim midis totalitarizmit dhe diktaturës, tiranisë, despotizmit apo regjimeve tjera autokratike. Një nga dallimet kryesore midis totalitarizmit dhe regjimeve të ndryshme është se këto regjime mbajnë strukturën shtetërore, kurse totalitarizmi heq logjikën e shtetit (dallimi midis pushtetit dhe shoqerise qytetare) dhe vendos  sundimin e një organizate (partisë) me të cilën identifikohet plotësisht masa e indoktrinuar. Kështu, ndërsa në tirani (tirani) ose ne diktaturë (diktatori), teorikisht, është e mundur për të sunduar mbi subjektet dhe kundërshtarët e tij politik, në totalitarizëm kjo nuk është e mundur.  Për shkak se në totalitarizëm në të vërtetë ata nuk ekzistojnë, por vetëm janë masë e atomizuar individësh, dhe nën ndikimin e terrorit dhe propagandës, nga frika apo bindje,  pranojnë rregullin, ku në shumicën e rasteve nuk e kuptojnë negativën apo vetën si kundërshtar… E pas gjithë kësaj që u tha, analistdeputeti edhe përdorë këtë gjuhë.

E dyta: Erdogani është politikani turk më i votuar në Turqi në mënyrë krejtësisht demokratike, njëjtë sikur Merkel ne Gjermani. Dhe sa herë fiton fitoren askush nuk e konteston, kurse ShBA-ja (për të cilën flet në emër të saj edhe për alienet) gjithmonë e para uron. Funksionimi i opozitarizmit në Turqi eshte shumë i fortë, kredibil e serioz, prandaj edhe fitoi Stambollin dhe shumicën e komunave. Zgjedhjet e fundit presidenciale fitoi Erdogani, por kundërkandidati që vinte nga opozita CHP, Muharrem Ince , vetëm1 minutë pas rezultatit uroi fitoren. Republika jonë ka marrëdhënie të shkelqyera me Republikën e Turqisë. Erdogani humbi zgjedhjet lokale, ai mund t`i humb edhe ato të përgjithshme, pra autokracia e pretenduar nga analistdeputeti po u alternuaka në një zhvillim demokracie.

Por për habi, analistdeputeti nuk bën asnjëherë analogji për autokracinë brenda shtëpisë politike ku funksionon. Që nga ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së, atij askush nuk i bën dot kontabilitetin politik në parti. Humbja e të gjitha garave politike të LDK-së në krye me të, u shndërruan në forcim të tij dhe shumim të poltronëve, e assesi në tërheqje si akt përgjegjësie e demokracie për humbjet e parreshtura. Pra, si duket logjika e kapjes së shtetit përmes kësaj autokracie është ushtruar edhe në kapje të partisë, të cilën analistdeputeti e sheh nënshtruar e si “institucionalizëm” i LDK-së.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.