Në këto 20 vite secilit politikan ia kemi pa ibretin për UÇK-në. Por, në këto ditë u ngrit një zë i madh kundrejt kryeministrit Kurti lidhur me ish këshilltarin e tij dhe mbrojten e UÇK-së. Atë që e tha Shkelzeni tashmë dihet botërisht se e kanë thënë më herët edhe disa politikanë, gazetarë, deputetë e ish deputetë. Po ku ishin këto zërat e sotit?! Nënkuptohet që zëri i një pjese të reagimeve që shohim kumbon nga mllefi politik antikryeministër, dhe jo për UÇK-në, sepse ata e dinë se janë përçmuesit e kahmotshëm të saj.
Pra, ky zë është i ambalazhuar me interesin politik, kurse zëri i ushtarëve të vërtetë askund nuk u dëgjua në këto 20 vite, sepse ndër vite është shterr nga skamja e nga lënia pasdore. Andaj, thirrësit për shkarkim të Shkelzenit, nëndëshirueshëm do të donin më shumë mosshkarkimin apo vonimin e shkarkimit se sa shkarkimin e njëmend, sepse sa më shumë të zgjatej kjo zallahi tek populli aq më shumë ngrihet toni antiAlbin dhe kështu pastaj të dobësohet politikisht. Duhet ta dinë se askush s’mund të mbajë monopolin mbi ushtrinë që ka dalë nga populli, as ish udhëheqësit e ish ushtarët e saj.
Përderisa është e popullit ajo duhet të mbrohet nga ai. Por, logjika monopoliste nuk ngopet, ajo përherë kërkon monopolin e kontrollin, si në ushtri, drejtësi… derisa gllabëron tërë shtetin.Vlerat e UÇK-së mbeten të shenjta dhe sublime në historinë tonë kombëtare. Por për këto vlera, nuk mund të flasin disa individë të saj, për disa arsye të ditura. Të qenurit ushtar i saj ndonjëherë të bën vetëm numër, por jo edhe vlerë të saj. Sistemi i vlerave ndërtohet pandërprerë dhe përsoset deri në përfundim të jetës sonë. Këtë shkëputje nga vlerat e UÇK-së e bënë individë të pandërgjegjshëm, qe me sjellje të ulta e benefite të ndryshme personale, familjare e klanore kanë abuzuar nën akronimin UÇK. Nuk ka etikë e cila e lejon dikë të bëjë përfitime abuzive personale vetëm se ka qenë pjesë e luftës.
Me këto veprime ai ka braktisur idealin dhe vlerën e luftës që ka bërë. Ky materializim i vlerës së luftës përmes përfitimeve abuzive u degdis nëpër segmente të ndryshme të shtetit: sistemimet nëpër institucione, borde, ndërmarrje, media… e deri në universitet, fatkeqësisht. E politika, biznesi e (disa) media u bënë trinomi famoz këtij bashkëpunimi. Dhe ja ku jemi pas 20 viteve.
/Ali Dula – Facebook/