Fati i KB Rahovecit vazhdon të jetë i paqartë dy javë para nisjes së sezonit, ndërkaq klubi vazhdon të jetë i paralizuar. Pas dorëheqjes së kryesisë se kaluar në drejtimin e Alban Ramës u prit që të thirrej Kuvendi dhe të votohet një kryesi e re.
Megjithatë, ende nuk ka ndonjë risi në këtë drejtim, e shumë ndërlidhet me mos interesimin e kryetarit Smajl Latifi për të ulur në tavolinë faktorët relevant për të zgjidhur situatën.Siç mëson Rahoveci24 kryesia e kaluar me në krye Alban Ramën ka pasur gati ekipin dhe shtabin teknik për sezonin e ardhshëm, një projekt atraktiv që do e bënte kompetitiv klubin.Mirëpo, kryesia e kaluar pretendon se Smajl Latifi zotoi 60 mijë euro përkrahje vetëm për edicionin e kaluar me premtimin e të cilit klubi bëri shpenzime në luftën për titull.
Ky zotim i parealizuar i Smajl Latifit i cili ndau 3 herë më pak nga se u zotua – sipas kryesisë së kaluar – rrezikom ekzistencën e klubit pasi ish lojtarët dhe trajneri mund ta fusë klubin në BAT, prej ku klubi nuk do të mund të kthjellej nga dënimet dhe do të shuhej rrjedhimisht si klub.
Deri tani sipas informacioneve të Rahoveci24 lojtarët me të cilët ka negociuar klubi duke parë situaten kanë nënshkruar me klube tjera rivale dhe sipas të gjitha gjasave basketboll në Rahovec në edicionin 2020/2021 nuk do të ketë, e më keq do vuajnë djemt e qytetit, Bardhi, Visari e të tjerë që duhet të luajnë për klube tjera teksa po prekin kulmin e karrierës.Të tjera burime të sigurta konfirmojnë se kryetari Smajl Latifi nuk ka shprehur fare interesim për të gjetur zgjidhje, situatë e cila çon në greminë shpresën dhe aktivitetin e vetëm sportiv e kulturor të nivelit nacional dhe internacional, basketbollin.
Edhe dy javë kanë mbetur, por shpresa është e vogël duke parë që as kohë për lojtarë s’ka, ndërkaq edhe nëse mbahet Kuvendi i Klubit, cila do kryesi e re do të kishte mision të pamundur mbijetesën në Superligë e cila u arrit me shumë sakrificë. Humbësit e vërtet janë qyteti dhe rinia e Rahovecit që do të mbeten pa aktivitet sportiv e rekreativ dhe pa mbrëmje magjike, e natyrisht se këtu ka një përgjegjës, sepse klubi nuk është privat por i qytetit!