Zv.Kapiteni Mullabazi: Ndaj Istogut test i vështirë, ëndrra e Superligës arrihet vetëm me UV 029

Zëvëndëskapiteni i KF Rahovecit, Hamid Mullabazi, ka folur para duelit të radhës të klubit të qytetit ndaj KF Istogut që zhvillohet në udhëtim.

Rahoveci shënoi fitore ndaj Lirisë në ndeshjen hapëse, ashtu si Istogu ndaj A&N dhe të dy skuadrat shumë cilësore përplasen direkt për tri pikët e radhës.

Zëvëndëskapiteni Hamid Mullabazi deklaron se do të jetë test i vështirë.

“Pas fitores së merituar ndaj KF Liria, jemi përgatitur maksimalisht gjatë tërë javës që t’i qasemi ndeshejs sa më seriozisht ndaj KF Istogut që t’i marrim pikët maksimale edhe pse do të jetë një test i vështirë për skuadrën kur dihte se Istogu ka një ekip cilësor ku edhe ata e kanë fituar ndeshjen e parë”.

“Nuk dyshoj në skuadrën tonë pasi që kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe brenda klubit është një atmosferë shumë e mirë dhe me angazhim do t’i sjellim tri pikët në Rahovec”, theksoi Hamid Mullabazi.

Djali i heroit të kombit, Selajdin Mullabazi – Mici, shpreson shumë në inkuadrim në Superligë, por se për këtë thotë se duhet ndihma e Ultras Vreshtarëve.

“Sa i përket Superligës është ende herët për të folur, por jemi një ndër kandidatët kryesorë për t’u inkuadruar. Neve na mbetet t’i qasemi ndeshjeve një nga një që t’i fitojmë. Por, gjatë rrugës na duhet ndihma e Ultras Vreshtarëve të cilët janë lojtari i 12-të i joni, gjithashtu edhe e gjithë qytetit. Shpresoj se do të plotësojmë ëndrrën e secilit qytetar dhe ta rikthejmë Rahovecin në Superligë, klubin tonë të qytetit aty ku mungojmë për 2 dekada”, u shpreh Mullabazi.

Rahoveci perballet me Istogun te shtunën nga ora 17:00.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.