Aktivisti i shoqërisë civile, Betim Hysen Zllanoga, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se sipas mendimit të tij një çerdhe mund të ndërtohet edhe me 20 mijë euro.
Sipas tij, kryetari aktual ka shpenzuar më shumë se 20 mijë euro në relacionin Prishtinë – Rahovec dhe se me këto para ka mundur të ndërtohet një çerdhe.
Ishte Smajl Latifi ai që pretendoi se Vehapi shpenzoi 30 mijë euro në relacionin Prishtinë – Rahovec, edhe pse sipas raporteve buxhetore krejt administrata komunale shpenzoi 53 mijë euro, 20 mijë më shumë se në vitin 2015.
Vehapi është akuzuar për faktin që nuk ka jetuar në Rahovec gjatë mandatit të tij dhe është Zllanoga ai që ka qenë mjaft i zëshëm në këtë drejtim, duke shkruar edhe për çerdhe të komunës dhe mungesën e tyre.
Aktualisht Latifi ka premtuar ndërtimin e disa çerdheve të reja duke përmendur kursimin nga shpenzimet e kryetarit, teksa Visar Korenica premtoi ndërtimin e 5 çerdheve në gjithë komunën me kursimet në të gjitha dikasteret pasi sipas tij ka pasur rritje të pa arsyeshme të pagave dhe shpenzimeve çdo vit në qeverisjet e kaluara, mjete me të cilat mund të ndërtohen edhe çerdhe. /Rahoveci24/