Vlora me brand turistik të realizuar nga dizajneri rahovecian Agi Haxhimurati

Bashkia Vlorë ka prezantuar brandin e saj të ri turistik “Visit Vlora”, i cili nga sot do të përfaqësojë qytetin në çdo event kombëtar dhe ndërkombëtar. Identiteti i ri vizual është realizuar nga dizajneri i njohur dhe i suksesshëm nga Kosova, Agi Haxhimurati.

Në njoftimin e bërë, Haxhimurati zbuloi se simboli qendror i projektit është flamingoja, një specie e rrallë e Lagunës së Nartës, e cila prej vitesh është kthyer në një prej ikonave natyrore të Vlorës.

osa1

Sipas dizajnerit kosovar, flamingoja u zgjodh sepse përfaqëson ekuilibrin mes natyrës, elegancës dhe shpirtit mesdhetar të qytetit.

“Brandi zyrtar turistik i Bashkisë Vlorë (Visit Vlora), që nga sot do ta përfaqësojë qytetin në çdo event dhe panair kombëtar apo ndërkombëtar. Flamingoja u zgjodh si simbol sepse është një krijesë e rrallë e Lagunës së Nartës dhe përfaqëson ekuilibrin mes natyrës, elegancës dhe shpirtit mesdhetar të Vlorës. Ajo është dëshmia e gjallë e biodiversitetit dhe identitetit unik të qytetit”, shkruan Haxhimurati.

Dizajneri i njohur kosovar, Agi Haxhimurati është ndër artistët e rinj që ka arritur shumë me punën e tij.

Pas punës së treguar në “Bunk’Art” dhe “Bunk’Art 2” atij nuk i janë ndalur as punët, por as sukseset.

Dizajneri Haxhimurati ka bërë logo për kompani të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë logon e portalit në Kosovë “Paparaci”.

Po ashtu ai ka bërë brendimin e projektit turistik “Visit Vitia”.

Sipas tij, qëllimi i kësaj platforme është të nxisë zhvillimin e turizmit dhe të fuqizojë ekonominë lokale, duke e kthyer zonën në një destinacion të identitetit dhe përvojës autentike.

Ndryshe, punët e dizajnerit, Agi Haxhimurati deri tani janë publikuar në shumë vende si: në Dublin (Irlandë), Tel Aviv (Izrael), Turqi, Itali, Berlin dhe në Kroaci ku dizajnoi standin për Republikën e Kosovës, në panairin më të madh të bujqësisë që u organizua nën patronatin e presidentes së Kroacisë.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.