Vjen reagimi nga komuna pasi humbën 250 mijë euro: I plotësuam kriteret për grant

Komuna e Rahovecit humbi 250 mijë euro nga grantet qeveritare që u jipet komunave top performuese.

Gjatë ditës Rahoveci24 raportoi për çështjen që ka dy ditë që është aktuale dhe që u mundua të kalohej në heshtje nga qeverisja komunale.

Reagoi edhe PDK-ja që u zgjua nga gjumi duke akuzuar Smajl Latifin për humbjen e 250 mijë eurove.

Pas këtyre reagimeve erdhi edhe prononcimi i parë nga drejtori për shërbime publike, Përparim Krasniqi i cili tha se kriteret u përmbushën.

Postimi i Përparim Krasniqit:

SQARIM

Komuna e Rahovecit e ka prioritet absolut mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e ambientit të pastër e të bukur që e kemi!

Ne kemi përpiluar një plan operacional të cilin kemi filluar ta implementojmë si komunë në muajin mars të vitit 2018, e bashkëpunimi dhe plani i Let’s Do It Kosova ka filluar implementimin 6 muaj më vonë, në shtator.

Si komunë e kemi mirëpritur këtë bashkëpunim dhe kemi qenë me të gjitha kapacitetet në dispozicion të projektit dhe kemi koordinuar planet tona me planin nacional.

Veç tjerash, në këtë periudhë:
– Kemi krijuar një Task Forcë të veçantë për të trajtuar me prioritet të lartë ambientin;
– Kemi pastruar një nga deponitë ilegale më të shëmtuara në Komunën e Rahovecit – ajo në rrugën Rahovec – Malishevë ku kemi larguar 50 tonë mbeturina dhe kemi parandaluar hudhjen e mëtutjeshme;
– Përveç kësaj kemi larguar edhe deponi tjera në disa lokacione, totali mbi 210 tonë mbeturina;
– Kemi lëshuar urdhëresë për gjoba mandatore për ata që hudhin mbeturina e ndotin ambientin;
– Kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me bizneset private për të pastruar e ruajtur ambientin;
– Kemi mbjellur me mijëra drunj dekorativ në gjithë komunën dhe synojmë që gjatë gjithë mandatit të mbjellim mbi 20,000 të tillë.

Komuna e Rahovecit i ka përmbushur e në disa raste edhe tejkaluar gjashtë kriteret e performancës për grantin që nuk e kemi fituar dhe për këtë na vjen shumë keq!

Gjithsesi ne do të vazhdojmë edhe gjatë këtij viti e tërë mandatit tonë të punojmë me të gjitha kapacitetet tona për të mbrojtur, ruajtur e pastruar ambientin e Rahovecit. Ne kemi një plan afatgjatë dhe të qëndrueshëm të cilit do t’i përmbahemi me përpikmëri.

Ta mbajmë të pastër Rahovecin tonë të bukur!

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.