Pas pengimit të hapjes së tregut për prodhuesit vendor në Rahovec, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka thënë se pas kësaj ngjarjeje, fermerët rahovecas kanë protestuar në oborrin e komunës.
Latifi ka thënë se është e çuditshme se si hapja e tregut bëhet pikërisht në Rahovec.
Ai ka thënë se pret që organet kompetente të reflektojnë.
“Nuk di se çfarë të keqe u kanë bërë z. Sveçla e z. Vitia fermerët e Rahovecit”, ka thënë Latifi.
Më poshtë reagimi i tij i plotë me shkrim dhe paraqitja e tij për RTK-në:
FERMERËT PROTESTOJNË PARA OBORRIT TË KOMUNËS SË RAHOVECIT- NUK LEJOHET TË PLASOJNË PRODHIMET E TYRE PËR SHITJE NË TREG
Të nderuar qytetarë,
Kronika në vazhdim nga RTK, flet për situatën e ditës së sotme, të pakuptueshme dhe të pa bazë, në komunën e Rahovecit, ku fermerët tanë nuk janë lejuar të plasojnë prodhimet e tyre për shitje në treg.
Edhe përkundër se përgatitjet për hapjen e tregut, kanë filluar tash e tri javë, dhe është siguruar hapësira e nevojshme për respektimin e të gjitha masave dhe distancës sociale sot, në mëngjesin e hershëm, me urdhër të u.d, Ministrit në detyrë Xhelal Sveçla dhe Ministrit në detyrë Arben Vitia, njësitet speciale të policisë së Kosovës, kishin zbarkuar para tregut ku pritej që të fillonte shitja e prodhimeve nga 16 fermerë të komunës sonë, për të ndaluar kështu fermerët të plasojnë prodhimet e tyre për shitje.
Një gjë e tillë është e papranueshme por edhe e çuditshme sepse të njëjtit fermerë prodhimet e tyre tash e sa kohë i dërgojnë për shitje, në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Presim që organet kompetente të reflektojnë dhe të lejojnë hapjen e tregut në Rahovec, mos t’i dëmtojnë fermerët tanë të cilët furnizojnë jo vetëm Rahovecin por tërë Kosovën me prodhimet e tyre.
Dëmet të cilat do t’ju shkaktohen fermerëve do të jetë e pamundur të rikuperohen dhe kompensohen, andaj përpjekjet tona serioze nuk do të ndalen deri sa të hapet tregu.
Për më shumë, ju ftoj ta ndiqni prononcimin tim lidhur me këtë çështje.
SL