Një vjedhje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur gjatë ditës së djeshme në qytetin e Rahovecit, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një fabrikë plastike dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, është raportuar se në fabrikën “Euro Bag”, e cila ndodhet në rrugën “Fahri Fazliu”, persona të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në objekt dhe kanë demoluar hapësirat e brendshme, duke vjedhur kabllo elektrike të pajisjeve prodhuese dhe mjete pune.
Viktima e këtij rasti është T. M., rreth 33 vjeçar,i cili ka njoftuar Policinë përmes telefonit.
Sipas deklaratës së tij, vlera e dëmit arrin rreth 50 mijë euro. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë filluar hetimet për të identifikuar autorët.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar inicimin e procedurës penale për veprën “Vjedhje e rëndë”.


