Visar Korenica ka konfirmuar kandidmin e tij për kryetar të komunës së Rahovecit me një foto të përbashkët me të gjithë kandidatët për asamble komunale.
Me anë të një postimi të tij në Facebook, Visar Korenica u shpreh se lista është e përsosur dhe e papërsëritshme.
Më poshtë postimi i Visarit:
Me listën e rinisë ndryshimi po nis!Të dashur rahovecas,Me bindje të plotë mund të them se në njëzet vitet e fundit të pushtetit komunal, Rahoveci nuk ka pasur ndonjë listë kaq të kompletuar kandidatësh për zgjedhjet komunale, dhe kjo falë angazhimit të të gjithëve nga fusha të ndryshme për t’i dhënë kontribut komunës sonë dhe për të nisur një hap të ndryshimit të madh – një kthesë përparimi pas njëzet vitesh qeverisjeje të njëanshme.Lista jonë përfaqëson cilësi e gjeografi, por mbi të gjitha vizionin tonë për barazi pa ndasi.
Me mjekë, biznesmenë, ekonomistë, arkitektë, juristë, agronomë, mësues e profesorë profilesh të ndryshme, infermierë, producentë, specialistë të teknologjisë së informacionit dhe shumë e shumë profile të tjera profesinoale e me integritet Rahovecit do t’ia kthejmë dinjitetin që e meriton dhe do ta vëmë në krye të listës së komunave më përparimtare të Kosovës – ndërsa vula e saj do të jetë puna e shpaguar me nder.Lista jonë është e papërsëritshme.
E themi pa modesti në këtë rast se kjo listë përbën grupin më profesional dhe më të sinqertë që ofrohet në këto zgjedhje komunale dhe jo në raport me listat e partive të tjera që po garojnë në Rahovec, por në raport edhe me listat e tjera në komunat e tjera të Kosovës.Rahoveci është vendi i punës, vendi i traditës, vendi i mikpritjes dhe vendi i rinisë. Më e pakta që e meriton në këto zgjedhje komunale është një listë kandidatësh me integritet personal e ngritje profesionale të cilët, para të gjithë interesave të tjerë, e kanë zhvillimin e komunës sonë dhe vendosjen e saj në pikën më të spikatur të hartës së zhvillimit ekonomik e kulturor në Kosovë.
Me këtë listë gjithëpërfshirëse e kemi bërë hapin e fundit drejt fitores. Komuna e Rahovecit e ka një thesar, dhe me këtë listë gjërat do të na ecin mbarë!