Visar Korenica shihet si “Shpend Ahmeti i Rahovecit”, sonte takimi krucial i VV-së ku vendoset gjithçka

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon me konsultimet e brendshme për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Konstelacioni politik që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet nacionale dëshiron të përsërisë të njëjtin sukses në zgjedhjet lokale.

Zyrtarët e lartë të VV-së në Prishtinë punën e kandidatit të VV-së në Rahovec e kanë lënë në dorë të kryesisë së degës, në të cilën janë përmendur disa emra.

Aktualisht kandidati potencial më favorit për momentin është Visar Korenica, i cili do të shihet në një formë si “Shpend Ahmeti i Rahovecit”.

Modeli i Shpendit sidoqoftë po hasë edhe në disa dilema brenda degës së VV-së.

Gjithnjë sipas burimeve të sigurta të Rahoveci24, në VV përkrahet edhe opsioni i mos kandidimit të dikujt për kryetar të komunës dhe dalja me një listë për asamble, pa kandidat për kryetar.

Kjo do t’i hapte rrugë Idriz Vehapit dhe Smajl Latifit që si dy kandidatët më të preferuar potencial të kalojnë lehtësisht 22 tetorin para balotazhit.

Megjithatë, vullneti i qytetarëve për një kryetar të ri model sikur Shpend Ahmeti në Prishtinë ka nxitur një disponim të pa parë se VV mund të befasojë dhe të fitojë zgjedhjet me Visar Korenicën si kandidat për kryetar.

Aktualisht VV s’ka koalicion parazgjedhor me asnjë parti, teksa LDK është në pritje të konfirmimit të kandidatit, që sipas disa burimeve pritet të jetë Ibrahim Kryeziu, një emër i njohur për politikën në Rahovec. LDK dhe VV kanë një afërsi të madhe, e cila varësisht nga kandidimi i Korenicës ose jo, do të përcaktojë edhe formën e veprimit të një koalicioni të mundshëm.

Burime të sigurta të Rahoveci24 konfirmojnë se sonte pritet të mbahet një takim mes kryetarit të degës së VV-së, Dervish Çadraku, dhe kandidatit potencial, Visar Korenica, ku pritet edhe të definohet nëse ky i fundit do të garojë.

Korenica në qarqe të ndryshme ka mohuar një kandidaturë për momentin, ndonëse njerëz të afërt të tij precizojnë se në rast se ai vendos të kandidojë atherë përkrahja do të jetë e gjerë dhe se fitorja do të jetë i vetmi opsion për të dhe ekipin e tij personal në pritje të formimit dhe konsolidimit, varësisht nga ajo nëse ai kandidon ose jo.

Gjithçka pritet të dihet në 48 orët e fundit për zhvillimet dramatike në VV, të cilat me ankth i presin edhe dy kandidatët tjerë, Idriz Vehapi dhe Smajl Latifi, të cilët deri tash nuk e shohin si problem fazën e parë të zgjedhjeve, por involvimi serioz i VV-së do të lëkundte pozicionet dhe në çdo moment do të mund të linte jashtë balotazhit njërin nga kolosët dominues të politikës rahovecase në vitet e fundit. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.