U mbajtë ceremonia e shpërndarjes së kuponëve të parë për fermerë

Sot, kryetari Latifi bashkë me znj. Caroline Schneider, Zyra e Koordinatorit të OKB-së për Zhvillim,
z. Laurent Torche, zëvëndësdrejtues për Bashkëpunim, Zyra e Zvicrës për Bashkëpunim në Kosovë, përfaqësues nga AME-ja, z. Shefki Abdullahu dhe Kastriot Lajqi, z. Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i Organizatës FAO, mbajtën ceremoninë e shpërndarjes së kuponëve të parë për fermerë.

Në pamundësi që Komuna e Rahovecit të mbulojë dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore të muajit janar 2023, u jemi drejtuar me kërkesë Ministrisë së Bujqësisë dhe Organizatës FAO – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Bujqësi dhe Ushqim.
Organizata FAO ka shprehur gatishmërinë që përmes donatorëve, si: Qeveria Zvicerane dhe fondi emergjent i FAO-s, t’i ndihmojë me kuponë fermerët e prekur nga këto përmbytje.

Me anë të këtyre kuponëve, do t’u mundësohet fermerëve të blejnë inpute të domosdoshme për fermat e tyre, si: farë, pleh, vegla pune, aparate ujitjeje, pjesë rezervë dhe mallra të tjera të domosdoshme sipas nevojave të tyre. Kjo nuk do të mbulojë tërësisht dëmet e pësuara të fermerëve, mirëpo do të jetë një ndihmesë e konsiderueshme për ta.

Komuna e Rahovecit do të jetë e hapur për bashkëpunim me FAO-n edhe në projekte të tjera në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.