KB Rahoveci u eliminua pas një ndeshje kthyese tejet dramatike të zhvilluar në Sezai Surroi, ku fitorja 87-81 nuk mjaftoi, pasi që për kualifikim është dashur të fitojmë me gjashtë pikë epërsi.
Jemi eliminuar nga Liga Unike, por kemi ri-fituar ekipin tonë. Pa Ivan Koljevicin, i cili me shumë gjasë nuk do të rikthehet për shkak të problemeve personale.
Kemi ri-fituar ekipin që i fitoi 7 ndeshje rresht, që lufton dhe që nderon fanellën e qytetit – e mbi të gjitha kemi fituar një lojtar në mesin e djemve të qytetit – e kemi fituar yllin në ngritje, Visar Ejupin. Më poshtë, notat e lojtarëve:
Fisnik Rugova – 10 (Man of the match)
Fisnik Rugova ka rritur shumë performancën e tij me Rahovecin në ndeshjet e fundit, kurse përpos 24 pikëve të tij e 2 bllokadave, Fisi ofroi lidershipin për të cilin aq shumë patën nevojë bashkëlojtarët e tij, duke qenë komandant në dy anët e fushës.
Fisi pati efikasitet të çmendur prej 62% me 10 gjuajtje te sakta nga 16 tentime, e pa dyshim ishte lojtari më i mirë i ndeshjes për Rahovecin në mesin e të gjithë të tjerëve që shkëlqyen.
T.J. Dunans – 9.5
T.J. Dunans ishte i jashtëzakonshëm në duelin kthyes ndaj Prizrenit ku flirtoi me triple double duke qenë pranë tij me 19 pikë, 10 kërcime e 7 asistime.
T.J. ishte i shkëlqyeshëm në dy anët e fushës, por nuk arriti të shënojë nga depërtimi vendimtar për kualifikim, ndërkaq pati edhe 4 topa të humbur dhe konsumoi 20 gjuajtje në total. T.J. ishte në nivel të lartë edhe në këtë takim.
Edo Kryeziu – 8.5.
Ka shkëlqyer edhe në këtë takim me 9 pikë të realizuara gjithsejt dhe me lojën në mbrojtje që ka përmirësim dhe është gjithnjë e në rritje te ai. Pati dëshirë të madhe për të fituar, ndërsa inspiroi rikthimi në çerekun e katërt kur u duk se ndeshja po përfundonte me një humbje të sigurtë e të thellë.
Edos në momente të caktuara i mungon vetbesimi për të gjuajtur e depërtuar, por ai nuk ka arsye që të zbrapset – duhet të gjuaje dhe të depërtojë sa herë ta ketë rastin, por të mos harrojë se bashkëlojtarët presin ndihmën e tij në fazën e mbrojtjes.
Musab Mala – 8.5
Musab Mala arriti të shënojë 10 pikë në këtë takim, por kontribuoi me 7 asistime.
Një ndeshje jo prej më të mirave për Musabin, por paraqitje solide veçanërisht në mbrojtje. Në sulm Musabi duhet të marrë përgjegjsinë dhe të gjuajë sa herë ta ketë rastin pa hezitim.
Reggie Jones – 8.5
Pati paraqitjen më të mirë në fanellën e Rahovecit. Shënoi dy treshe rresht kur askush nuk e priti dhe kur anija jonë po fundosej. Ishte fantastik edhe në mbrojtje, kurse ofroi 4 asiste. Reggie ndoshta meritoi më shumë minuta, ndoshta meritoi të luante ai në fund?
Banka Rezervë
Makol Mawien – 9.0
Konstant një bishë e vërtetë. Pas ndeshjes i kërkoi falje lojtarëve dhe tifozëve prezent duke marrë përgjegjësinë për humbjen pasi u përjashtua kur ra në provokim të Darrell Davis.
Në fakt, Makol pati pak faj për atë incident, por amatorizmi i FBK-së dhe ligës satelite të saj, Ligës Unike, që nuk pati vido-rishikimin e mundshëm në sallë, bëri që Rahoveci të hendikepohet pa gjigantin i cili regjistroi 10 pikë e 7 kërcime dhe regjistroi plot 3 bllokada.
Visar Ejupi – 9.0
Visari realizoi 3 pikë nga dy gjuajtje, sepse gjuajtjen tjetër për tre pikë e pati gjuajtjen vendimtare për kualifikim të cilën e humbi.
Bravo i qoftë Visarit për guximin, pasi që kjo do t’i shërbejë të rritet si lojtar në të ardhmen dhe nuk kemi fare pendesa sa i përket gjuajtjes së tij. Ndoshta ka mundur të depërtojë drejt koshit, ndoshta ka mundur të pasojë te Fisi, pak ka rëndësi kjo, e rëndësishme ishte që ai pati guximin ta vendosë ndeshjen me fatin që nuk ishte në anën e tij. U testua nga Malinkov ne fund i cili e hodhi në zjarr Visarin vetëm një ditë pasi shënoi 16 ditë me New Basketin në playoffin e Ligës së Parë, por Visari luajti perfekt duke vjedhur edhe dy topa e duke bërë mbrojtje të fortë. Rahoveci mund të jetë eliminuar, por e ka fituar një lojtar solid për të ardhmen si Visar Ejupi i cili do të rritet edhe më shumë nga një moment i tillë.
Arion Balluku – 9.0
Ndryshoi për të mirë lojën pasi mori besimin e Malinkov për t’u inkuadruar. Mundësoi që T.J. të kalojë mes pozitave 2 dhe 3 çka e vuri atë në pozicione natyrale të tij që të shënojë pikë.
Nëse shikohet në xhepin e Arionit aty mund ta gjeni sigurisht Arti Hajdarin, i cili u neutralizua në pjesën e dytë, ku Prizreni ju fal McCoy dhe Xannerfaxit. Arioni realizoi një treshe, por u ekspozua në mbrojtjen zonale të Prizrenit, çka është sinjal për të që ta rritë lojën në sulm për të qenë pjesë integrale e skuadrës për të ardhmen e afërt në tri finalet e mbetura dhe në playoffin që na pret ndaj Pejës – nëse kualifikohemi kuptohet.
Trajneri
Ljupce Malinkov – 9.5
Ishte pothuajse i përkryer në menaxhimin e këtij takimi. Timeouta në kohën e duhur dhe menaxhim i mirë me zëvëndësime përveç që ndoshta Reggie ka pasur pak minuta, e ndoshta meritoi të luajë në fund. Për këtë, nuk mori notën 10 trajneri dhe po ashtu për shkak të mos kualifikimit tutje.
Taktikisht e ka shkolluar Arbnor Rifatin dhe aradhën e tij të asistentëve në bankë, andaj trajnerit i mungoi vetëm kualifikimi pas një ndeshje të shkëlqyer. Mbi të gjitha e ktheu ekipin kah e mbara dhe jemi plotësisht gati për tri finalet e mbetura të sezonit ku kemi në dorë fatin tonë.
/Rahoveci24/