Plejmejkeri amerikan, Tyler Deihl, sërish ka shprehur kënaqësinë e tij për prezencën në Rahovec.
Deihl në një prononcim për Rahoveci24 para duelit prej më të rëndësishmëve këtë sezon ndaj KB Yllit në Gjakovë që luhet nga ora 17:00, ka thënë se ai është në disponim dhe se skuadra duhet të fitojë për qytetin.
“Unë ndihem mirë pas ndeshjes ndaj Trepçës edhe pse humbëm. Ndjej se kemi mundur t’i mposhtim ata, por duhet t’i largojmë gabimet. Sa për mua, definitivisht mendoj se kam mundur të luaj më mirë. Por, ishte mirë të luaja në një ndeshje aq të madhe, dhe sa më shumë që unë luaj fitoj vetëbesim nga trajnerët dhe bashklojtarët, kështu që mezi e pres ndeshjen ndaj Yllit nga ora 17:00 të dielën”.
“Tifozët ndaj Trepçës ishin fantastik si gjithmonë. Si ekip ne ushqehemi me energjinë që e sjellin tifozët dhe ata gjithmonë sjellin energji të lartë për ne”.
“Ndaj Yllit është një ndeshje shumë e rëndësishme që ne të shkojmë përpara, sidomos që prej se dëgjova se ka lindur rivaliteti me Yllin. Besoj se mund të mposhtim Yllin, ne duhet të përgatitemi mirë për këtë ndeshje, si ekip ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe ne do të luajmë me intensitetin më të lartë ët mundshëm. Do të jetë ndeshje e madhe dhe mezi pres të luaj”.
“Sa për tifozët, ata të gjithë janë të rëndësishëm për ekipin. Ne po rritemi dhe po bëhemi më të mirë ditë pas dite. Sot është ndeshje e madhe dhe do të na duheni të gjithë prapa për të na përkrahur. Le të fitojmë këtë ndeshje për qytetin”, u shpreh Tyler. /Rahoveci24/