Trajneri Spaqi, bordi dhe stafi teknik i KB Rahovecit letër tifozëve: Qetë, pa incidente, me festë drejt fitores

Trajneri i KB Rahovecit, Valentin Spaqi, bordi dhe stafi teknik i klubit me anë të një letre publike dërguar në redaksinë e Rahoveci24 ka ftuar për sportivitet nga tifozët në ndeshjen vendimtare ndaj KB Dritës që zhvillohet të shtunën.

Klubi ka bërë organizim masiv për tifozët, por shkurtimisht bordi i klubit, trajneri dhe stafi teknik kanë kërkuar që pos të jetë përkrahja e madhe, të jetë sportive, pa hedhje të gjësendeve, pa ofendime dhe pa incidente në një festë sportive.

“Nesër është ndeshje e rëndësishme, ashtu sikurse secila ndeshje tjetër. Por, nesër duhet të jetë festë. Presim tifozët në numër të madh, përkrahja e të cilëve na ka ndihmuar”.

“Megjithatë, duhet vëmendje dhe kujdes. Festa të mbetet festë. Sezoni i mrekullueshëm le të përmbyllet siç e do tradita juaj e Rahovecit, me mikpritje të mysafirit. Të presim mirë ekipin mysafir dhe bashkë, pa fyerje, pa incidente, pa hedhje gjësendesh, me lojë, ta arrijmë synimin tonë sportiv, Superligën. Mos lejoni të prishet mbrëmja e madhe. Të jemi pasqyra për gjithë sportin e Kosovës. T’i japim mesazh se po vjen një qytet i mrekullueshëm në Superligë, me një tifozeri fantastike. Sepse kështu jemi ndjerë nga momenti i parë këtu, kështu e di që do të ndihet gjithë Kosova nesër me klubin tonë.

Ju falënderoj për përkrahjen gjithë sezonit, nesër e kalojmë bashkë me qetësi sfidën e fundit… në një ndeshje që do jetë simbol për basketbollin e Kosovës për tifozeri të pastër dhe spektakël të madh!

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.