Trajneri Dervisholli: Ne jemi Rahoveci, kemi kulturë sportive – presim gjithë qytetin në stadium

Trajneri i KF Rahovecit, Granit Dervisholli, ka dhënë deklaratë për Rahoveci24 para duelit derbi ndaj Suharekës në shtëpi të mërkurën nga ora 15:00.

Rahoveci pas fitores masive ndaj Vëllaznimit në Gjakovë gjendet në pozitën e dytë me 11 pikë dhe në Rahovec tash pret Suharekën e milionerëve që gjendet veç një pikë prapa.

Dervisholli ndeshjen ndaj Suharekës e sheh si një ndeshje të radhës, ashtu si çdo ndeshje tjetër – teksa ka kërkuar përkrahje masive.

Ai ka shprehur lëvdata të mëdha për ekipin duke thënë se grupi i tij ka personalitet të madh, teksa për rezultatet meritat i jep kryesisë që po i qëndron pranë lojtarëve. Ai i bën thirrje të gjithëve që të përkrahin masivisht, por të mos bien pre e provokimeve eventuale pasi Rahoveci ka traditë të madhe mikpritëse.

“Duke marrë parasysh që 80% e lojtarëve kanë ardhur në këtë afat kalimtar, normalisht që kemi punuar shumë që të vijmë në këtë komponim dhe të kemi këto rezultate. Personaliteti i këtij grupi është i madh dhe këto rezultate nuk janë të rastësishme, por janë produkt i sakrificës dhe punës që kemi bërë në këta 3 mkuaj. Gjithashtu shto faktin që kryesia e klubit ka qëndru afër stafit dhe lojtarëve për çdo nevojë dhe kërkesë, normal që gjithçka ka qenë lehtë për ne që të vijmë te këto rezultatet pozitive”.

“Gjatë gjithë kohës jemi munduar që të shikojmë vetëm veten dhe të përmirësohemi çdo ditë në ato pika ku kemi pas të nevojshme. Ndeshja ndaj Suharekës do të jetë vetëm një ndeshje e radhës ku ne do të mundohemi të japim maksimumin nga vetja dhe të kemi vazhdimësi pozitive”.

“Faleminderit për përkrahjen e deritanishme si brenda ashtu edhe në ndeshjet si mysafir. Ju lutem që të kemi kujdes dhe të mos biem pre e provokimeve të ndryshme sepse ne jemi Rahoveci dhe kemi kulturë të lartë sportive, e atë duhet ta shfaqim të mërkurën ku ne si ekip presim përkrahje masive nga tifozët tanë”, u shpreh Dervisholli.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.