KB Rahoveci do ta ketë mundësinë ideale për t’u hakmarrë për eliminimin në Kupën e Kosovës, kur do t’i shkojë Trepçës në palestrën “Minatori” të shtunën.
Dueli zhvillohet nga ora 18:00 dhe ekipi jonë po bën përgatitje maksimale për këtë ndeshjes.
Mungesa e madhe për këtë duel do të jetë Altin Morina, i cili po bën hapa të mëdhenj drejt përmirësimit të gjendjes së tij dhe ka gjasa që t’i kthehet stërvitjeve më shpejt se sa është menduar.
Rahoveci24 ka qëndruar në dy stërvitjet e fundit të klubit, ku vërehet angazhim dhe përkushtim i jashtëzakonshëm i lojtarëve për të bërë mirë dhe për të fituar duelin e radhës.
Lojtarët tashmë ndihen në formë të lartë dhe kjo është treguar në bazë të stërvitjeve
Artin Gashi i cili ishte lënë jashtë sfidës ndaj Yllit nga trajneri Nixha për arsye disiplinore, pritet që t’i kthehet parketit ndaj Trepçës dhe duke parë angazhimin e tij në stërvitje dhe formën e lartë të tij, ka shumë mundësi që ai të jetë startues.
Në pesëshen e idejuar me Artin Gashin, Nixha sipas të gjitha gjasave do ta fusë edhe amerikanin Tyler Deihl, i cili pos performancave të jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit, po tregon gjëra të pabesueshme në stërvitje, duke u shndërruar dalëngadalë në shtyllë të ekipit.
Pos Artin Gashit dhe Tyler Deihl, startues për këtë duel pritet të jenë edhe Muhamed Hasani dhe Besnik Sharku.
Hasani është shfaqur mjaft i qetë dhe duket se ka tejkaluar ndeshjen ndaj Yllit ku ai humbi dy gjuajtjet e lira vendimtare, teksa trajneri Nixha do t’i japë besimin e tij edhe për ndeshjen ndaj Trepçës.
Mr. Double Double – Besnik Sharku, pritet të startojë në pozitën e qendrës pasi ishte në pesëshen e lojtarëve më të mirë të javës në Superligë, përkrahur nga Mustafë Merovci ose Rashan Bellinger. Këta të fundit janë duke luftuar për positën 3-4 bashkë me Artin Gashin, me këtë të fundit që pritet të jetë një nga startuesit në këtë duel falë formës që po tregon.
Amerikani Bellinger po tregon uri të jashtëzakonshme për të bërë mirë, teksa ka treguar precizitet të lartë nga distanca në stërvitje, me çka mund të jetë një nga lojtarët kyç nëse KB Rahoveci dëshiron ta befasojë Trepçën, por Mustafë Merovci ka përparësinë te Jeton Nixha falë përvojës së tij, kur dihet se Trepça është e fortë nën kosh.
Me mungesën e Altin Morinës, pritet që në 12-she të ftohet Berat Mullabazi. Djaloshi rahovecian po tregon përkushtim të madh në stërvitje, por i duhet kohë të fitojë besimin e trajnerit për një inkuadrim, kurse Albion Metbala është treguar po ashtu majft energjik bashkë me Albatrit Berishën dhe ata do të luftojnë për t’u inkuadruar nga stoli.
KB Rahoveci e ka mundësinë ideale t’i tregoja kualitetet dhe të mposhtë Trepçën në Mitrovicë, duke u hakmarrë për eliminimin nga çerekfinalja e Kupës e cila u zhvillua të martën e kaluar në Suharekë e ku ishin rreth 2 mijë tifozë rahovecianë në një spektakël të pa parë deri tash. Ndeshje e vështirë në ketër, por lojtarët besojnë në fitore, me talitet që transmetohet nfga trajneri Jeton Nixha, i cili po angazhohet maksimalisht në ngritjen e ekipit. /Rahoveci24/