Të shtunën KB Rahoveci hapë stinorin pranveror ndaj Kerasanit

Të shtunën nga ora 18:00 do të zhvillohet ndeshja mes KB Rahovecit dhe Kerasanit nga Prishtina.

Dueli do të jetë i pari për stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në basketboll.

Në këtë ndeshje KB Rahoveci do të hyjë me përbërje të re.

Pas largimit të Arion Ballukut drejt Bashkimit, KB Rahoveci transferoi dy amerikanë, të cilët kanë spikatur në stërvitje dhe pritet të bëjnë debutimin në këtë duel. Formë të lartë në stërvitje ka treguar dhe Altin Morina, transferi i ri nga KB Ylli.

Edhe lojtarët tjerë janë maksimalisht të përgatitur.

Muhamed Hasani është kthyer në përbërje pas dëmtimit të tij të pësuar në duelin ndaj Trepçës, teksa përgatitja e shtuar para duelit të parë e sheh ekipin në formë të lartë fizike para kësaj ndeshje.

Për këtë ndeshje në mënyrë të organizuar pritet udhëtim i tifozëve Vreshtarët me nisje nga Park Plaza në orën 17:00 të shtunën, teksa porosia e tifozëve ishte që me ta të udhëtojnë vetëm ata që janë vërtet të flaktë dhe që e duan klubin e qytetin.

Ndryshe veçantia tjetër e këtij dueli do të jetë rikthimi në Rahovec i Alban Latifajt, i cili ishte larguar në gjysmë të pjesës së parë të sezonit. Ky i fundit madje brohoriti kundër Rahovecit në ndeshjen dramatike ndaj Kerasanit në Prishtinë, ndonëse tash kthehet në parket kundër ish skuadrës me të cilën edhe u inkuadrua në Superligë.

Në mungesë të palestrës, kjo ndeshje do të zhvillohet në Suharekë dhe pritet fitorja e parë në stinorin pranveror për klubin e qytetit në basketboll. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.