“Të mos fuqizohet Serbia”, produktet serbe përballë bojkotit në Kosovë

Serbia për dy dekada ka mbajtur “kurorën” për tregun në Kosovë. Për një ditë, serbët kanë eksportuar në vendin tonë mallra në vlerë rreth 1.2 milion euro. Përgjatë pesë viteve të fundit importi i mallrave serbe në Kosovë ka pasur ulje dhe ngritje, shkruan Insajderi.

Nga grupi “Besa Besë” kanë bërë thirrje tek qytetarët të mos i blejnë prodhimet serbe në dyqane. Anëtarja e grupit “Besa-Besë”, Elmedina Ballazhi ka thënë për Gazetën Insajderi se qëllimi kryesor i fushatës ‘Bojkoto produktet serbe’ është bojkotimi sa më shumë i prodhimeve nga shteti fqinj, Serbia.

640x74

Ne duhet që secili të kemi një vetëdije të plotë që parat tona mos të shkojnë në zhvillimin të Serbisë që mos të fuqizohet ajo ekonomikisht për të blerë armatim kundër neve“, u shpreh Ballazhi.

Fushata kundër produkteve serbe kishte shkaktuar reagime edhe në Serbi. Ndër të tjera, Ballazhi përmendi reagimin e diplomati serb në SHBA, Aleks Xhuriçiç.

Fushata jonë ka nxitur reagime të shumta në Serbi, ku diplomati serb në SHBA, Aleks Xhuriçiç, përmes një postimi në Twitter është ankuar se Kosova po bojkoton produktet serbe. Ai ndër të tjera kishte shkruar se si mundet që Serbia të negociojë me autoritetet në Kosovë kur po orkestrohen bojkot të prodhimeve serbe“, tha ajo.

Muajt e fundit nga fotografitë publikuara nga qytetarët në rrjetet sociale janë vërejtur rritje të çmimeve të prodhimeve vendore, duke shfrytëzuar kështu situatën dhe fushatën e bojkotimit të prodhimeve serbe. Lidhur me këtë, Ballazhi tha se nuk kanë kërkuar nga qytetarët që të blihen produktet vendore.

Ne si grup nuk kemi kërkuar që të blihen produktet vendore, përveç Serbisë ka edhe më shumë se 180 vende nga ku mund të blejmë produktet që janë konkuruese si me çmim si me cilësi, nuk është se ne i nënçmojmë produktet vendore, por për të mos e hutuar konsumatorin kosovar për ne nuk kërkojmë që të blihen produktet vendore“, tha Ballazhi.

Tutje, anëtarja e grupit “Besa-Besë” theksoi se fushata e tyre është apolitike.

Është vetëm një kauzë vullnetare për kombin tonë. Partitë politike në vend secila i ka “politikat e saja”, por mund të them se disa na kanë përkrahur fushatën tonë e disa ende jo“, ka thënë Ballazhi për Insajderin.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.