
KB Rahoveci udhëton të mërkurën në Suharekë në një ndeshje ku klubi do të shkojë në krizë të thellë të rezultateve dhe pa trajner.
Sipas burimeve të Rahoveci24 ndryshe nga ajo që është shkruar në faqen zyrtare të klubit, Ilmen Bajra është vetëm zëvëndësues i përkohshëm i Takianos sa për të mos lënë keq ekipin, pasi që ai po refuzon të drejtojë skuadrën deri në fund të edicionit.
Refuzimi i Bajrës lidhet shumë me situatën e rëndë brenda klubit, të cilën po punon ta rregullojë presidenti Alban Rama.
Për këtë të fundit kjo është hera e parë që ballafaqohet me një krizë të këtij lloji, por që ndeshja ndaj Yllit që është më e rëndësishmja për qytetin dhe tifozët po vjen në momentin më të keq.
Rahoveci tashmë e ka mendjen në janar dhe ndeshjet e ardhshme do të tentojë të nxjerrë maksimumin e fitoreve të mundshme dhe të gjejë trajnerin e ri që të çojë ekipin deri në janar.
Në janar pritet të ndodhin ndryshime rrënjësore në skuadër, e cila do të jetë padyshim pretendente për titull këtë edicion.
Muhamed Thaçi mbetet në pole pozicion për të marrë drejtimin e Rahovecit, teksa së fundmi është shfaqur edhe emri i Dragan Radovic si një prej opsioneve, ku dihet se Radovic kishte pasur disa herë bisedime me Rahovecin, por vendosi të bashkëpunonte me trajnerë të tjerë.
Cili do që do të vijë në Rahovec do të ketë në dorë “pataten e nxehtë” me një skuadër jashtëzakonisht të padisiplinuar dhe të ç’orientnuar, por bashkë me disiplinën, trajneri i ri do të sjellë mentalitet të ri basketbolli e nga janari klubi do të kthehet si pretendent për titull, qoftë me “Mujën”, qoftë me “Përlen”.
Rahoveci ndeshjen e fundit ishte i liruar nga presioni i madh pasi Takianos e ka ditur se ishte ndeshja e fundit dhe sipas burimeve brenda bordit të klubit ka besim se ky lirim nga presioni do të ndikojë pozitivisht në një paraqitje solide ndaj Yllit që megjithatë është shumë i përforcuar dhe është favorit absolut për këtë duel.
Në anën tjetër Rahoveci24 mëson se Ylli kishte në plan ta befasojë Rahovecin me transferimin e Darrell Davis për ndeshjen derbi, por që nënshkrimi me ish-yllin tonë dështoi për shkak të kërkesave të tij stratosferike financiare çka bëri që Ylli të tërhiqet nga gara për firmën e tij.
Ylli – Rahoveci zhvillohet të mërkurën nga ora 17:00.
/Rahoveci24/