Të mërkurën bëhet historia, çerekfinalja ndaj Trepçës për Kupë

Të mërkurën në ora 19:00 do të zhvillohet ndeshja më e rëndësishme në historinë e sportit të Rahovecit, pasi në Suharekë (në mungesë të palestrës tonë) do të zhvillohet dueli çerekfinal i Kupës së Kosovës ndaj Trepçës nga Mitrovica. Nëse Rahoveci e fiton këtë duel, atëherë në mënyrë historike kualifikohet për gjysmëfinale, FinalFour të Kupës së Kosovës, që do të ishte arritja më e madhe për sportin e Rahovecit ndonjëherë.

Pas duelit ndaj Kerasanit që u përcoll me kritika nga mediat për mos ftuarje të Berat Muallabazit, KB Rahoveci dhe lojtarët pushuan të dielën.

Megjithatë, të hënën nga ora 18:00 vazhdojnë stërvitjet me të gjithë lojtarët që janë të pranishëm dhe të gatshëm për këtë duel.

Muhamed Hasani pas dy muajve jashtë parketit rikthehet për duelin ndaj Trepçës pasi ka tejkaluar lëndimin pikërihst të pësuar ndaj Trepçës dhe për këtë ai pritet t’i qërojë hesapet të mërkurën, ku pritet të jetë lojtari kyç drejt shkruarjes së historisë.

Tekniku Jeton Nixha ka në dispozicion edhe përforcimet, debutantin e shkëlqyer, Tyler Deihl dhe amerikanin që ka shumë për të treguar, Rashan Bellinger, e që të dy këta janë shumë të motivuar për ta mposhtur Trepçën.

Nga ana e Trepçës, trajneri grek Papadopolous ka pushuar lojtarët kryesorë ndaj Vëllaznimit pikërisht për duelin ndaj Rahovecit, ku klubi mitrovicas pret të fitojë sigurt.

Megjithatë, i gjithë qyteti i Rahovecit do të jetë të mërkurën në Suharekë dhe bashkë me tifozët Vreshtarët të cilët janë jashtëzakonisht të përgatitur do të tentohet të shkruhet historia, ku lojtarët pa dyshim se do të kenë në dorë çelësin për këtë.

Ende nuk është vendosur ku do të mbahet FinalFour, por favorit është Mitrovica dhe palestra minatori, e Trepça vjen për këtë motiv shtesë në këtë takim për të fituar patjetër, ndërsa një fitore e Rahovecit në këtë duel do të ishte një arritje historike jo vetëm në kuadër të sporit të Rahovecit, por për gjithë sportin e Kosovës.

Të mërkurën, ora 19:00, të gjithë në Suharekë!

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.