Të hënën do të vijë edhe vendimi zyrtar nga kryetari Idriz Vehapi për drejtorin e ri të propozuar nga LDK, Gardalin Shtavica.
Rahoveci24 mëson nga burime të sigurta se pas propozimit nga LDK për drejtor të Gardalin Shtavicës, tash topi ka mbetur te kryetari i komunës, Idriz Vehapi.
Në bazë të marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, Gardalin Shtavica edhe formalisht të hënën do të bëhet drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Rahovec.
Megjithatë, kryetari Idriz Vehapi ka në dorë vendimin për këtë gjë, pasi që mund edhe të mos e nënshkruajë vendimin që Gardalin Shtavica të bëhet drejtor edhe pse kjo nuk pritet të ndodhë.
Kryetari Vehapi po ashtu ka në dorën e tij edhe një rrokadë të mundshme mes drejtorive, pra që Shtavica të lëvizë në një drejtori tjetër dhe që drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të drejtohet nga dikush tjetër.
Të gjitha këto janë skenare të mundshme që mund të ndodhin, por mbetet të shihet në të vërtet se çka do të ndodhë të hënën, dita edhe kur kryetari Vehapi do ta marrë vendimin. /Rahoveci24/