Suhareka gjendet vetëm 10 minuta larg nga Rahoveci me distancë, por minimum 10 vite larg me zhvillim.
Vikendi në Suharekë ishte i gjallë dhe me zhvillim, ku qytetarët e kësaj komune nuk dalin për t’u argëtuar në komunat tjera, por qëndrojnë në vendin e tyre, sepse vendi i tyre është qendër e sportit kulturës dhe argëtimit.
Në Rahovec ky vikend ishte i zbehtë, me qytetarët e komunës që mbushën arkat e bizneseve në Prizren, Gjakovë e Prishtinë, pasi që në Rahovec kanë të drejtë – nuk ka asgjë.
Teksa muaji maj do të duhej të ishte festë sportive e kulturore edhe në Rahovec, në fakt është atmosferë bezdie, një dallim stratosferik hiç më larg se vitin e kaluar kur Rahoveci ishte në gjysmëfinalen e playoffit ku Rahoveci ishte në gjysmëfinalen e luftës për titull.
Për ata që thonë se “s’ka asgjë prej sportit”, kjo tregon se sa i rëndësishëm është sporti.
Teksa rinia e Suharekës, sheh perspektivën në vendin e vet dhe është një nga komunat me më pak të emigruar, në Rahovec nuk ka ditë që nuk largohen të rinjtë – edhe ata që fort shpresuan se diçka po ndodhë.
Suhareka nuk ka alien për kryetar, e as biznesmenë arab. Kryetar është homologu i Smajl Latifit, Bali Muharremaj. Por, ndryshe nga Latifi, që merrej me rregullimin e degëve të AAK-së gjetiu nëpër Kosovë, Bali Muharremaj festonte suksesin e korrur prej tij dhe ekipit të tij, titullin e parë kampion të Ballkanit pas tri sezoneve përpjekje rresht. Festonte fitoren e parë finale ndaj super Trepçës së rikthyer me multi investime.
Kjo është diferencë. Në mendësi, apo “mindset”. Dhe, pikërisht dështimi i Rahovecit si komunë i atribuohet Smajl Latifit, i cili qeverisi për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, ku mund të themi se Rahoveci u shndërrua në një vend të bezdisshëm, pa perspektivë dhe pa zhvillim. Nuk ndryshoi pothuajse fare. Të vetmet ndryshime erdhën nga individë të caktuar, të cilët e duan Rahovecin më shumë se veten e tyre duke sakrifikuar edhe familjen për të ndërtuar diçka të shëndoshë në një vend pashpresë.
Suhareka nuk e ka vetëm një HardhFest, vlerën e vetme të shtuar që momentalisht e ka Rahoveci. As këtë nuk e bëri Smajl Latifi, por e gjeti të gatshme dhe falë këshilltarëve të tij kryeneç që u përballën me të stoikisht e bindën që të përkrahë këtë festival. Përndryshe, do të mbetej një festival parkingu “sa për sy e faqe”.
Vetëm edhe një HardhFest i ka mbetur Suharekës pa e bërë, një festival ndërkombëtar, për të kompletuar epitetin e qytetit më të zhvilluar në Kosovë. Andaj, qytetarët e Rahovecit do ta ruajnë si sytë e ballit këtë bekim nga Zoti siç është ky festival.
Përndryshe, Suhareka që folëm më lartë është 10 minuta larg Rahovecit, nuk është në ndonjë shtet tjetër. Udhëhiqet nga një njeri që po ashtu është pjesë e AAK-së, por që ka prioritet vendin e tij më shumë se sa partinë.
Po ta kishim edhe ne “një Bali Muharremaj” a thua se ku do të ishte sot Rahoveci?