Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi me anë të një kërkese drejtuar Komitetit për Politikë dhe Financa, ka kërkuar që të inicohet procedura për ngritjen e shtatores së Sheh Myhedinit.
Ky është një prej hapave më pozitiv në aspektin e respektimit të vlerave tona të Rahovecit.
Rahoveci24 në këtë editorial special, jep disa arsye dhe propozon vendin e mundshëm të ngritjes së shtatores.
Sheh Myhedin Shehu është një prej personaliteteve më të fuqishme të historisë së Republikës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.
Kontributi i tij është shembull për gjenerata të tëra se si të rruhen vlerat dhe idealet njerëzore, në bashkërendim me religjionin dhe kombin.
Kështu, figura e madhe e Sheh Myhedinit duhet të nderohet në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç edhe i takon.
Qendra e qytetit të Rahovecit, e cila ka një plan konkret urbanistik për zhvillimin e asaj zone, duke e kthyer namin e mëhershëm të një qendre me tipare të vjetra arkitektonike, që do të zhvillonte zonën, do të ishte ideale që të identifikohej me një prej figurave më të mëdha që ka pasur Rahoveci në historinë e vet.
Rreth rrotullimi i qendrës së qytetit, jo i mirëmbajtur si duhet në 16 vitet e fundit, ka qenë simbol jo prej më të mirëve të Rahovecit, kjo për shkak të mos kujdesit ndaj kësaj zone. Kjo i takon të kaluarës, t’ia përmirësojmë imazhin Rahovecit.
Lënia anash e kësaj pjese e ka degraduar jo vetëm zonën, por Rahovecin në përgjithësi, andaj rikthimi namit të vjetër është një lëvizje e qëlluar.
Por, vendim shumë i mirë edhe më i qëlluar do të ishte që shtatorja e Sheh Myhedinit të jetë në këtë rreth rrotullim, ku do t’i kthehej nami qytetit të Rahovecit, dhe do të respektohej në mënyrën më të mirë figura e pa përsëritshme e Sheh Myhedinit.
Shtojmë faktin se aty pranë është edhe xhamia e qendrës së Qytetit, dhe Teqeja e Madhe, atëherë korelacioni i shtatores në qendër të qytetit, merr edhe më shumë formë e kuptim.
Pos vendit ku do të ngritej shtatorja, është e nevojës që kjo shtatore të jetë e realizuar në mënyrën perfekte, ashtu siç ishte afër perfeksionit me veprat e tij personaliteti i Sheh Myhedinit.
Rahoveci ka shumë artistë të njohur, të cilët mund ta bëjnë këtë dhe do të ishte e përkryer që të gjitha kokat më të ndritura të artit të bashkohen për të realizuar shtatoren e Sheh Myhedinit.
Por, së pari duhet të presim 15 shkurtin, datën edhe kur do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Financa, ku edhe do të shqyrtohet propozimi i kryetarit të komunës, Idriz Vehapit, për ngritjen e shtatores, një prej kërkesave të tij më të mira, në mbarë karrierën e tij politike. /Rahoveci24/
(Ky shkrim është editorial i realizuar nga redaksia e portalit Rahoveci24)