Kryetari i AAK-së në Rahovec dhe ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka folur për situatën politike në vend, e cila vazhdon të jetë problematike.
Rahoveci24 në pjesën e tretë të intervistës me Smajl Latifin ka folur për situatën në vend, protestën e 17 shkurtit, a do të bëhet Thaçi president dhe nëse jemi në prag të zgjedhjeve.
Intervista më poshtë:
Rahoveci24: Si e vlerësoni situatën politike në nivelin nacional?
Smajl Latifi: Kosova dhe qytetarët e saj po vuajnë nga qeveria e Kosovës, e cila pasi ja ka vjedhur shpresat njerëzve në këtë vend, së fundi nënshkroi edhe marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi (Asociacionin/Zajednicën dhe Demarkacionin), të cilat e cenojnë rëndë sovranitetin dhe territorin e shtetit. Kosova është duke përjetuar krizën e thellë morale, politike, institucionale dhe sociale. Nuk ka shpresë dhe nuk pritet asgjë nga Qeveria antikushtetuese e cila vazhdon të rrijë në ‘Fronin’ e turpit. Pakënaqësitë e akumuluara dhe kërkesa tashmë e artikuluar për ikjen e kësaj qeverie dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme janë opsioni më i mirë dhe më real, mbase edhe i vetmi, për të dalë nga kjo situatë e keqe dhe që po përkeqësohet, si rrugë për të ecur përpara Kosova.
Rahoveci24: A është bërë dega e Rahovecit e AAK-së gati për protestën e 17 shkurtit?
Smajl Latifi: Përgatitjet po ecin mirë dhe rahovecianët, më 17 shkurt do t’i përgjigjen me pjesëmarrje të madhe protestës. Unë i falënderojë dhe i përgëzojë qytetarët e Rahovecit për gjithë kontributin që po e japin për protestat e opozitës, ashtu si çdoherë për Kosovën, të cilës i kanë dhënë shumë gjak e djersë dhe po i japin shumë kontribute edhe tani.
Rahoveci24: Sipas jush zotëri Latifi, a do të zgjidhet Hashim Thaçi president?
Smajl Latifi: Në këtë situatë krejtësisht jo normale, mendoj se z. Thaçi po i nënçmon hapur qytetarët kur po kërkon të bëhet president. Z. Thaçi me sjelljet e tij vazhdon për një kohë të gjatë të dëmtojë interesin qytetar, interesin e shtetit dhe imazhin e Kosovës. Vështirë, tepër vështirë do ta ketë dhe mendoj se Ai është i vetëdijshëm se sa të vështirë e ka për t’u zgjedhur President i vendit.
Rahoveci24: Zotëri Latifi, pyetja e fundit sigurisht se kërkon edhe një përgjigje të shkurt e të sinqert – A jemi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe a po bëheni gati për një listë të përbashkët opozitare?
Smajl Latifi: Mendoj se po! Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Pak-kush tashmë beson se zgjedhjet janë në vitin 2018. Madje, nuk besojnë as ata që i bien këtij teli, z. Thaçi dhe z. Mustafa. Është njëri nga opsionet e mundshme dalja e opozitës me një listë të vetme. Aktualisht nuk kemi ndonjë vendim për këtë.