Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka folur pas nënshkrimit të ceremonisë për Sheshin Qendror të Qytetit, duke rezervuar një rresht për të thumbuar kritikuesit e tij.
Më poshtë sjellim komunikatën e plotë të tij:
RAHOVECI PO BËHET ME SHESH
Bashkëqytetarë të dashur,
Jam mëse i lumtur të ju njoftoj se sot kemi nënshkruar kontratën për ndërtimin e Sheshit Qendror të Rahovecit, në vlerën: 3,817,347.79 €.
Pas asistimit profesional në të gjitha fazat dhe procedurat ligjore deri te hapja e konkursit ndërkombëtar të projektimit, ku kanë aplikuar 80 studio të arkitekturës nga 37 vende të botës e të 5 kontinenteve, juria profesionale me tre anëtarë ndërkombëtarë e dy vendorë, me unanimitet ka vendosur për projektin e hartuar nga arkitektët: Thomas Boerendonk nga Holanda, Daniel Arce Chu nga Uruguaji dhe Nguyen Duy Minh nga Vietnami, të cilët i kanë dhënë Rahovecit një dizajn ikonik dhe shumëfunksional, ashtu siç e kërkuan qytetarët e komunës sonë.
Përmes këtij projekti, synojmë që të kemi qasje në hapësira publike të sigurta, të shëndetshme dhe për të gjithë qytetarët, e në veçanti për fëmijët, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta. Gjithashtu, synohet edhe krijimi i mundësive të reja për biznes dhe rritja e cilësisë së jetës urbane.
Disa të dhëna se çka parashihet në Sheshin Qendror të Rahovecit:
• Projekti do të pozicionohet aty ku takohen shtegu i këmbësorëve dhe shëtitorja e gjelbër që ka edhe shtegun për biçiklistë dhe lidh veriun dhe jugun e qytetit me qendrën;
• Qendra e sheshit është në formë rrethore, e përshtatshme për ngjarje të mëdha dhe ofron hapësirë të mjaftueshme për funksione ditore;
• Ndërtimi i Qendrës së Komunitetit në lokacioni e Tregut ekzistues që do ta ndajë sheshin e vogël te “Hardhia” me Sheshin Qendror;
• Tregu ditor (i mbyllur);
• Parkingu nëntokësor dhe mbitokësor;
• Zhvendosja e stadiumit të qytetit dhe mbyllja e rr. Bajram Veliu që ndodhet anash stadiumit;
• Ndërtimi i një rruge të re te parkingu ekzitues që lidh rr. Xhelal Hajda – Toni dhe Ibrahim Rugova;
• Hapësira të reja gjelbëruese etj.
***
Do të mbetem i përkushtuar që ky projekt ta shohë dritën e realizimit dhe së shpejti ky shesh të bëhet realitet në komunën tonë, edhe përkundër faktit se pati edhe skeptikë që nuk e besuan.
Urime qytetarëve të Rahovecit!