Kryetari i komunës së Rahovecit, i ri-zgjedhur, Smajl Latifi, është i vendosur që të qeverisë pa koalicion.
Në ditën kur ai mori shuplakën më të madhe politike në karrierën e tij nga opozita, që e bashkuar zgjodhi Dëfrim Kafexhiun e VV-së si Kryesues të Kuvendit Komunal, nuk u vonua kundërpërgjigja e Smajl Latifit.
Ai pa hezitim me të përfunduar seanca konstituive, ku e dëshmoi se nuk do ti ofrojë marrëveshje asnjë partie dhe do të qeverisë vetëm vet, ka konfirmuar që Shqipe Kryeziu nga VV kaloi në AAK.
Kalimi i Shqipes përpos që i jep numra më shumë në asamble AAK-së, pritet që të ndikojë që Smajl Latifi të kompletojë shpejt kabinetin e tij qeveritar i cili do të përbëhet nga njerëzit e tij dhe të partisë së tij – dhe nuk do të qeverisë me ndonjë prej partive tjera.
Edhe pse Smajl Latifi do të qeverisë vet, ai ka ndihmën e asambleistëve të partive tjera për këtë.
Pasi mori Shqipe Kryeziun nga VV, duke lënë me 6 asamblistë Vetëvendosjen, AAK e çon në 13 numrin e asamblistëve, kurse gjithsej i duhen 17 asamblistë për të qeverisur.
Sipas informacioneve të Rahoveci24 dy asamblistë nga LDK do të përkrahin qeverisijen e Smajl Latifit duke votuar projektet, por do të mbeten në LDK. Kjo defakto numrin e votave të AAK-së e çon në 15-të.
Dy asamblistë tjerë AAK i kërkon në PDK, ku njëri është i konfirmuar se do të votojë projektet e AAK-së pasi votoi edhe për kryesuesin nga kjo parti, kurse edhe asamblisti që do të jetë vota e 17-të e AAK-së do të jetë nga PDK.
Edhe jo të gjithë asamblistë kalojnë në partinë e AAK-së, duket se do të përkrahin qeverisjen e Smajl Latifit, pa miratimin e partisë së tyre, duke i dalë kështu kundër strukturave udhëheqëse të partisë, gjegjësisht Bejtullah Deliut dhe Burim Krasniqit, të cilët janë edhe shefat e dy partive në Asamblenë Komunale të Rahovecit.
Një gjë është e sigurt – Smajl Latifi nuk ndalet derisa e arrin qëllimin e tij që të qeverisë vet, pra një tjetër mandat me qeverisje autokratike, ku shtypet dhe nuk respektohet mendimi e idetë ndryshe.
/Rahoveci24/