Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur me një njoftim se do të nisë një aksion pastrimi.
Njoftimi i plotë i Latifit:
Ju bëj thirrje qytetarëve të komunës së Rahovecit, subjekteve afariste, organizatave joqeveritare, institucioneve arsimore, individëve dhe të gjithë atyre që e duan një ambient më të pastër në territorin e komunës së Rahovecit, që të bashkohen në aksionin gjithëpërfshirës për heqjen e mbeturinave të ngurta dhe të amvisërisë.
Aksioni do të fillojë më 2 maj dhe do të vazhdojë deri në heqjen e të gjitha “pikave të zeza” me mbeturina në tërë hapësirën e komunës së Rahovecit.
Tashmë janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe është hartuar plani i veprimit për mbarëvajtjen e këtij aksioni të dobishëm për të gjithë.
Komuna e Rahovecit synon që në një afat sa më të shkurtër kohor të shndërrohet në zonë atraktive e turizmit rural e kulturor, prandaj kërkohet që secili të përmbushë pjesën e vetë të përgjegjësisë. Kërkojmë nga qytetarët e komunës së Rahovecit që ta mbështesin këtë aksion dobiprurës për të gjithë.
Aksioni simbolikisht do të fillojë më 2 maj 2018 në orën 8:30 nga vendi i quajtur “Rrasat e Rahovecit”.