Skanë të ndalur skandalet për tandemin Morina-Latifi, paditësja kërkon anulimin e konkursit nga Drejtoria e Arsimit, pretendon se në të ka pasur shkelje!

Nasibe Rexha, përmes padisë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën mësimdhënëse e programit fillorë të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec

Sipas padisë, paditësja kishte kërkuar anulimin e këtij konkursi, me pretendimin se ai është i kundërligjshëm, pasi që sipas padisë, me rastin e rekrutimit, e njëjta është diskriminuar duke mos iu llogaritur përgjigjet të sakta në proporcion me kandidatët e tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

640x74

Gjatë seancës të së mërkurës, përfaqësuesi i paditëses Nasibe Rexha , avokati  Arif Morina ka kërkuar anulimin e konkursit të shpallur nga Drejtoria e Arsimin në Komunën e Rahovecit.

“Qëndroj pranë padisë dhe kërkesë padis me të cilën kemi kërkuar anulimin e rezultateve finale të pranimit të kandidatëve ose listën përfundimtare të konkursit nr.4/637, po ashtu ka kërkuar ndërprerjen e kontratës të punës të cilën e paditura e ka lidhur ende pa kaluar afati ligjor për ankesa, po ashtu anulimin e gjithë procedurës së rekrutimit” tha avokati Morina.

Sipas tij, e gjithë procedura e këtij konkursi është përcjellë me shkelje procedurale dhe ligjore dhe po ashtu ka qenë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.7/17dhe Ligjin për Zyrtarët Publik i cili ka hyrë në fuqi me 02 gusht 2019.

Ai po ashtu ka qëndruar pranë kërkesës për caktimin e masës së sigurisë si dhe gjykatës i ka dorëzuar një numër të provave.

“Bashkangjitur në padi dorëzoj disa shpallje dhe procedura të konkurseve të Komunave: Drenas, Istog, Malishev, Pejë, Lipjan, Klinë, Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Suharek dhe Gjakovë, po ashtu edhe disa prova tjera disa shpallje të komunës së Rahovecit të vitit 2020-2021, konkretisht konkurset nr.4/562, nr.4/549, nr.637, nr.671, nr.801, nr.879 dhe nr.693, si dhe kontratën e punës që e ka lidhur e paditura me numër protokolli nr.1/2005, dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese, rasti nr.KO.203/2019” tha Morina.

Avokati Morina, për seancën e shqyrtimit kryesor ka kërkuar nga gjykata që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohet kryetari i komisionit intervistues nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec, Lulzim Krasniq dhe anëtarët e komisionit për ankesa Skender Krasniqi, Bedri Dula dhe Shemsije Shala.

Lidhur me deklarimet e përfaqësuesit të paditëses, përfaqësuesi i të paditurës Bilbil Oruqi, tha se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë, duke shtuar se paditësja,  në padi kryesisht thirret në shkelje ligjore të cilat shkelje nuk i ka përmendur me prova konkrete e sipas tij, padia përmban edhe një sërë paragjykimesh ndaj procedurës së zhvilluar siç janë pretendimet “Duke mos ia llogaritur përgjigjet e testit me shkrim  në proporcion me kandidatët e tjerë”, e që e njëjta pretendon se në procedurën e testit me shkrim qëllimisht është vlerësua më pak.

“Sipas rregullës paditësja ka pranuar të hyjë në konkurrim-test me shkrim nën kushtet e caktuar me përmbajtje të testit siç është përpiluar dhe e njëjta ka humbur të drejtën të ankohet se testi me shkrim ka pasur gabime të qëllimshme drejtshkrimore, apo gabime tjera ose këto pyetje janë përpiluar nga drejtori i DKA-së e jo nga komisioni që është caktuar”, tha përfaqësuesi Oruqi.

Sipas Oruqit, paditësja në bazë të Udhëzimit Administrativ pas nënshtrimit të testit me shkrim ka mundur që në afat ligjor të bëjë vërejtje dhe të kërkoj korrigjimet lidhur me rezultatit të testit me shkrim, por e njëjta ka ushtruar ankesë pasi që komisioni ka publikuar listën nr.689, për rezultatet përfundimtare të datës 24 mars 2021.

Ndërsa lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga avokati Morina, përfaqësuesi i Komunës së Rahovecit, Bilbil Oruqi, e ka kundërshtuar në parim, me arsyetimin se procedura e konkursit është kryer sipas ligjit.

Pas kësaj gjykatësi Betim Behluli, ka aprovuar kërkesën e avokatit Morina për dëgjimin e dëshmitarëve, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me 14 tetor 2021 me fillim në ora 09:00.

Në padinë e ushtruar më 11 maj 2021, paditësja Nasibe Rexha, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën mësimdhënëse e programit fillor të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec.

Sipas padisë, paditësja kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Rahovec, duke iu nënshtruar testimit me shkrim, duke qenë njëra ndër kandidatët i cili i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

Por, sipas pretendimeve në padi, e njëjta në procedurën e testit me shkrim me qëllim ishte vlerësuar pakë, duke mos ja llogaritur përgjigjet e sakta në proporcion me kandidatët e tjerë me qëllim që të mos kalonte në fazën tjetër, sepse sipas saj, do të paraqiste problem në realizimin e qëllimeve të drejtorit të drejtorisë së arsimit në pranimin në punë kandidatëve të paracaktuar.

Tutje në padi, ajo pretendon se në testin me shkrim ka pasur disa pyetje te përpiluara gabim dhe me qëllim të caktuar, pyetjet të cilat sipas saj, i ka përpiluar drejtori i arsimit dhe jo komisioni për zhvillimin e procedurës së konkursit.

Kundër vendimit për listën përfundimtare, paditësja kishte ushtruar ankesë në afatin e rregullt ligjorë, duke ofruar një sërë shkeljesh procedurale që kishte bërë komisioni ad-hoc, i themeluar nga drejtoria komunale e arsimit.

Në padi thuhet se Drejtoria Komunale e Arsimit në Rahovec, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, udhëzimet dhe të gjitha aktet qe rregullojnë procedurat e ankesës, i cakton sipërfaqësisht pa asnjë bazë ligjore, jo profesionale për shqyrtimin e ankesave ligjore, disa persona, kinse janë komision për shqyrtimin e ankesave dhe të njëjtit prapë duke vepruar në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret dhe duke vepruar jo profesionalisht, sepse te njëjtën nuk kanë as përgatitje as njohuri për procedurat e vlerësimit, duke vepruar sipas udhëzimeve të Drejtorit të DKA-së me datë 14 prill 2021, kthejnë një përgjigje, ndërsa duhej të ishte vendim me të cilin aprovohet apo refuzohet ankesa, në të cilën përgjigje mundohet ti shpjegojnë ankesat e saj të cilat ishin të shumta.

Tutje paditësja thekson se baza juridike e padisë bazohet në: Ligjin e Punës, Udhëzimin administrativ 07/17, Ligjin për arsimin parauniversitarë në Republikën e Kosovës, Ligjin për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës, Ligjin për zyrtarët publik, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës.

Andaj duke pretenduar se e gjithë procedura e konkursit është përcjell me shkelje procedurale, e manipuluar dhe jo transparente, me preferenca partiake dhe interesa të ngushta personale, paditësja ka paraqitur këtë padi duke kërkuar anulimin e këtij konkursi si dhe masën e sigurisë./Betimipërdrejtësi.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.