Skandaloze – Të hollat e ndara për palestër, i çuan në projekte tjera nëpër Kosovë

Çështja e palestrës sportive të Rahovecit po bëhet gjithnjë e më problematike me kalimin e kohës.

Ishte ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Kujtim Shala (LDK), ai që u takua kohë më parë me kryetarin e Rahovecit, Idriz Vehapi (PDK), në Rahovec, ku u konfirmua se kjo ministri ndau 330 mijë euro për fazën finale të përfundimit të projektit për palestrën.

Mirëpo, Rahoveci24 mëson se kanë ndodhur ndryshime jashtëzakonisht negative për palestrën e Rahovecit.

200 mijë euro nga 330 mijë të parapara të ndahen për fazën finale të projektit, janë çuar në projekte tjera të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, drejtuar nga Kujtim Shala, për projekte në bastionet e LDK-së në vise tjera të Kosovës, duke lënë vetëm 130 mijë euro për fazën finale të projektit.

Kjo së pari garanton që projekti sërish do të vonohet dhe nuk do të përfundohet në kohë, e më e keqja cilësia e punimeve do të jetë diskutabile për shumën e parave në fjalë.

Gjithë këtë ndryshim të kolegut të tij nga e njëjta parti e lejoi Avdullah Hoti, ministër i Financave, i cili edhe aprovoi kërkesën e MKRS-së për shpërndarjen e këtyre mjeteve, ani pse Hoti është kryetar i degës së LDK-së në Rahovec dhe e di vitalitetin e projektit në fjalë.

Kështu vetëm sa po vazhdon maskarada për palestrën e Rahovecit, e cila filloi ndërtimet 10 vite më parë. Rahoveci24 do të vazhdojë t’i informojë qytetarët dhe ta bëjë prioritet temën e palestrës, që është vitale për të ardhmen e fëmijëve tanë, e që këtë “muhabet” duhet ta përfundojmë të gjithë sa më shpejt që është e mundur. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.