Situata pas humbjes nga Prishtina – Këto janë skenarët për Play Off dhe Play Out

KB Rahoveci pësoi humbje ndaj Sigal Prishtinës në Mizahir Isma edhe pse me 2 minuta të mbetur kishte epërsinë e takimit. Një kolaps në minutat e fundit ky, që mund të kushtojë shumë, shumë shtrenjtë për klubin Vreshtar sa i përket gjasave për kualifikim në Play Off dhe Play Out.

Rahovei24 sjell skenarët e mundshëm që mund të ndodhin për Play Off dhe Play Out në raport me KB Bashkimin.

Ndeshjet e mbetura të Rahovecit:
Në shtëpi kundër Yllit
Si mysafir i Trepçës

Ndeshjte e mbetura të Bashkimit:
Ndaj Prizreni 16 (pikëpyetje lokacioni i ndeshjes)
Javën e fundit ndaj Dritës (pikëpyetje lokacioni i ndeshjes).

Info të rëndësishme:
-Rahoveci ka një fitore më shumë se Bashkimi
-Nëse dy ekipet pas javës së fundit kanë bilanc të barabartë të fitoreve, atëherë do të shikohet bilanci i ndeshjeve të ndërsjella (kokë më kokë)
-Nëse bilanci i ndeshjeve është i barabartë, Bashkimi ka përparësi sepse ka mposhtur 3 herë Rahovecin nga 4 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon.

Skenari 1 (Rahoveci në Play Off): Rahoveci i fiton dy ndeshjet e mbetura

Skenari i parë dhe më i sigurti është që Rahoveci t’i fitojë të dyja ndeshjet e mbetura. Nëse Rahoveci i fiton dy ndeshjet, atëherë rezultatet e Bashkimit do të jenë të parëndësishme. Më lehtë të thuhet se sa të bëhet, ndeshjet e mbetura janë ndaj Yllit (në shtëpi) dhe ndaj Trepçës (si mysafir), janë ndaj të dyja pretendenteve për titull.

Të dy këto skuadra okupojnë pozitën 1 dhe 2. Fillimisht Ylli do të mundohet që të mposhtë Rahovecin dhe të betonojë pozitën e parë në tabelë. Kënaqësi e dyfishtë për suharekasit do të ishte që të fundosnin Rahovecin drejt greminës, në Play Out, pasi dihet se jemi rival të përbetuar të suharekasve dhe asnjëherë nuk e kanë pasur lehtë pikërisht kundër nesh.

Ndaj Trepçës në Mitrovicë gjasat janë më se minimale për të triumfuar, kur dihet rosteri i gjithëmbarshëm dhe kandidatura për titull. Këtu i shtohet synimi i Trepçës për të shkuar direkt në gjysmëfinale dhe të shpresojë në gabimet e Yllit për të zënë vendin e parë, e nëse jo vendi i parë së paku vendi i dytë i cili po ashtu nuk është i sigurtë pasi Trepça ka vetëm një fitore më shumë se Peja.

Skenari 2 (Rahoveci në Playoff): Rahoveci fiton ndaj Yllit ose Trepçës, kurse Bashkimi pëson humbje nga Ponte

Nëse do të duhej të përdorej gramatika, atëherë do të thoshim nëse “Bashkimi do të humbë njërën nga dy ndeshjet”, por duke parë që ndaj Dritës e ka fitoren të sigurtë në javën e fundit, Rahoveci duhet të shpresojë që Bashkimi ta humbë ndeshjen ndaj Prizrenit, gjithmonë nëse vet e fiton një nga dy ndeshjet e fundit.

Por, sa është i motivuar Prizreni 16 që të triumfojë ndaj rivalit lokal, Bashkimit? Vështirë të thuhet. Prizreni 16 apo siç të gjithë e njohim Ponte, e që drejtohet nga Arbnor Rifati, nuk ka ndonjë motiv të veçantë për këtë ndeshje dhe në të kaluarën ka ditur që të “mbyllë njërin sy” kur vihet në diskutim e ardhmja e KB Bashkimit marrë parasysh se janë dy klube prizrenase. Megjithatë, Arbnor Rifati e ka të kthyer Urim Zenelajn dhe nëse pretendon se ka respekt për Rahovecin, atëherë do të luftojë në mënyrë ferr për të korur fitoren në këtë takim. Rahovecianët do të pranonin edhe një humbje të Prizrenit 16, edhe shkuarjen në Play Out nëse e shohin që Prizreni 16 me superyllin Darell Davis do të luftojnë deri në frymën e fundit. Nëse ky i fundit dëshiron, mund ta mposhtë Bashkimin i vetmuar, pa ndonjë problem të madh. Të gjitha këto dilema për Prizrenin 16 janë të diskutueshme dhe do të kuptohen të shtunën e ardhshme.

Skenari 3 (Bashkimi tutje, Rahoveci në Play Out): Rahoveci fiton njërën nga dy ndeshjet, Bashkimi i fiton të dyja ndeshjet e mbetura

Mbani frymën miq. Ky skenar mund të dihet qysh fundjavën që po vjen. Nëse Rahoveci e mposhtë Yllin dhe Bashkimi do ta mposhtë Prizrenin 16, me lokacionin e ndeshjes që ende nuk dihet, atëherë në javën e fundit një fitore e Rahovecit ndaj Trepçës në Mitrovicë do të ishte PA RËNDËDSI, pasi Bashkimi DO TË fitojë ndaj Dritës.

Në këtë skenar Rahoveci dhe Bashkimi do të kishin bilanc të barabartë fitoresh, por Bashkimi do të shkojë në Play Off e Rahoveci do të mbetet në Play Out pasi që bilanci i ndeshjeve direkte është në favor të Bashkimit sepse mposhti 3 herë këtë sezon Rahovecin.

Ky është edhe skenari më i dhimbshëm, pasi që qysh në javën e ardhshme do të dihej epilogu i sezonit në rast se Bashkimi triumfon ndaj Prizrenit, pavarësisht se çka bën Rahoveci. Praktikisht, e gjithë vëmendja dhe pesha e fatit të Rahovecit do të jetë mbi Arbnor Rifatin.

Që Rahoveci ka lënë fatin në dorën e Arbnor Rifatit, përpos që ka faj vet Rahoveci, ka faj edhe FBK. Një skuadër si Drita pa kurrfarë motivi për lojë, pa organizim dhe pas asgjë, u la që të qëndronte në kampionat duke mos lejuar kthimin e Vëllaznimit në elitë. Një kampionat me një skuadër më konkurruese, do të bënte kampionatin më interesante dhe nuk do të bënte që ndeshjet vendimtare të jenë shëtitje nëpër park. FBK përpos që nuk e mbajti premtimin ndaj Vëllaznimit, ka luajtur edhe me fatin e ekipeve tjera në elitë duke lënë një ekip jo konkurrues si Drita.

Skenari 4 (Bashkimi tutje, Rahoveci në Play Out): Rahoveci pëson humbje në dyja ndeshjet, Bashkimi fiton SË PAKU ndaj Dritës

Rahoveci të shtunën e ka ndeshjen e jetës ndaj KB Yllit, të cilën duhet ta fitojë patjetër. Fati i madh është që ndeshja zhvillohet në Rahovec dhe palestra do të jetë e stërmbushur për të siguruar një fitore që do të ishte jetike.

Por, nëse ndodh që Rahoveci pësojë humbje nga Ylli në javën e parafundit të edicionit, ashtu sikurse të pësojë humbje edhe ndaj Trepçës në javën e fundit, atëherë Bashkimit do t’i mjaftonte fitorja ndaj Dritës në javën e fundit edhe nëse humbë nga Prizreni 16.  

Çka nëse Rahoveci shkon në Play Off?

Rahoveci që prej se u kthye në Superligë në vitin 2016 për ÇDO SEZON ka qenë në playoff dhe ka konkurruar për trofe. Fati nuk e deshti, ashtu sikurse mundësitë financiare nuk ishin as për së afërmi ndaj rivalëve tanë si Ylli, Peja e Prishtina.

Megjithatë, nëse Rahoveci shkon në Play Off atëherë do të ishte një sukses i hatashëm kur dihet kolapsi i fillim sezonit.

Në Play Off Rahovecin do ta presë Peja nëse kualifikohet tutje në çerekfinale me 3 ndeshje, e kur dihet se Rahoveci mposhti dy herë Pejën në shtëpi, një Play Off dramatik do të pritej me pejanët që nuk e dëshirojnë fare Rahovecin në Play Off.

Rahoveci24 beson se gjasat për PlayOff janë më pak se 25% sipas skenareve aktuale.

Çka nëse Rahoveci mbetet në Play OUT?

Do të ishte një goditje për basketbollin në Rahovec. Sponsorët nuk do të kishin motivimin e njëjtë sikurse në edicionet e kaluara dhe konkurrimi do të ishte i vështirë nëse mbesim në Superligë, pasi që investimet e konkurrencës janë shumëfishuar.

Rahoveci në Play OUT është një gjë që nuk duam as ta paramendojmë, pasi që kemi pretenduar gjithmonë për trofe, megjithatë, tashmë kalkulimet duhet të fillojnë, ndonëse Play OUTI do të vuloste dështimin e këtij sezoni.

Në Play OUT Rahoveci mund të përballet me humbësin e Finales së Ligës së Parë, që zhvillohet mes Vëllaznimit dhe Prishtina e Re.

As që do të ishte i imagjinueshëm një Play OUT kundër Bardh Rexhës, por duke ditur se nuk kanë pësuar asnjë humbje nga 20 ndeshjet e zhvilluara, Vëllaznimi pritet që të kualifikohet në Superligë pa probleme e kundërshtar i Rahovecit të jetë Prishtina e Re.

Për Rahovecin, Prishtina e Re është kundërshtar lehtë i tejkalueshëm, duke ditur se vërtet ky ekip përbëhet nga të rinjt e Sigal Prishtinës që nuk gjetën hëpsirë aty e në klube tjera. Pavarësisht sa të rrezikshëm mund të jenë, për Rahovecin nuk është në rrezik ekzistenca në Superligë edhe nëse mbetet në Play OUT, por vet prezenca në këtë nivel, e në kët pozitë të tabelës do të ishte një njollë e ZEZË me të cilën nuk jemi mësuar. Kurse pasojat e kësaj, gjatë verës mund të jenë të paparashikueshme, ku vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e klubit.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.