Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ervin Hoxha, ka deklaruar për Rahoveci24 se palestra do të përfundohet këtë vit.
Kishte zëra se pas vizitës së Ramush Haradinajt në Rahovec u konfirmua që palestra këtë vit nuk përfundohet.
Ishte Smajl Latifi ai që premtoi në shumë debate se palestra kryhet në vitin e parë, e madje ai ka thënë se edhe do të protestonte për këtë qëllim
Megjithatë, është drejtori i tij, Ervin Hoxha, ai që ka konfirmuar për Rahoveci24 se do të përfundohet këtë vit palestra. Ndryshe, ai shtoi se do të intensifikohet edhe përkrahja për klubin e futbollit.
“Natyrisht se çdo fillim ka vështirësitë dhe sfidat e veta. Dihet mirëfilli se investimet në sferën e kulturës, rinisë dhe sportit gjithmonë janë të pamjaftueshme. Ndonëse viteve të kaluara është bërë diçka në rregullimin e infrastrukturës kulturore, megjithatë punët nuk janë kryer me cilësi. Nevoja për investime është e përhershme, ndërsa sfidë për ne paraqet mirëmbajtja e objekteve ekzistuese. Që në fillim të marrjes së detyrës së drejtorit të DKRS-së kemi hasur në sfida serioze të trashëguara. Gjendja në KF Rahoveci nuk është e mirë dhe kemi bërë përpjekje që ti tejkalojmë problemet e hasura. Kështu ne kemi nisur me përzgjedhjen e sportistëve më të mirë të vitit 2017, që është dashur të kryhet në mandatin e kaluar. Ndërkohë kemi përpiluar një mori kërkesash në adresë të MKRS-së dhe isntitucioneve tjera shtetërore dhe për donatorët eventual në mënyrë që të realizojmë sa më shumë nga ajo që kemi marrë si zotim tonin.”
“Fatkeqësisht në komunën tonë nuk është bërë asnjëherë sa duhet për kulturën, rininë dhe sportin. Deri më tani drejtuesit e institucioneve janë marrë vetëm me ndërtimin e objekteve dhe infrastrukturës përcjellëse për kulturë, por shumë pak me shtrirjen e kulturës në tërë hapësirën gjeografike të komunës tonë. Tashmë ne kemi nisur përpjekjet për formimin e grupeve rinore dhe po bashkëpunojmë me shoqatat ekzistuese në mënyrë që të kemi një pasqyrë më të qartë të nevojave rinore. Po ashtu, do të vëmë kontakt me përfaqësues të shoqërive kulturore-artistike, shoqatat sportive e rinore dhe me të gjithë ata që ia duan të mirën kulturës. Pra, do të fokusohemi edhe në faktorin njeri dhe jo vetëm në objekte kulturore e sportive. Ftojmë palët e interesuara që t’na kontaktojnë dhe së bashku të arrijmë një nivel më të lartë kulturor në komunën e Rahovecit”
“Gjendja e KF Rahoveci ka qenë e pashpresë në momentin kur e kam pranuar detyrën. Në bashkëpunim me kryetarin e Komunës kemi bërë disa herë përpjekje për të gjetur njerëz që duan dhe kanë mundësi ta nxjerrin nga kriza futbollin tonë. Dorëheqjet e anëtarëve të kryesisë kanë shkaktuar vakum, mirëpo me përpjekje të vazhdueshme kemi arritur që të gjejmë njerëz që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi në KF Rahoveci. Tani kemi zgjedhur kryetarin dhe stafin teknik, që drejtohet nga trajneri Genc Tamniku. Përgatitjet për sezonin e pranverës kanë nisur dhe kemi besim se do të arrijmë objektivat e synuara duke mbetur në Ligën e Parë të Kosovës. Po mundohemi që ta rregullojmë infrastrukturën sportive në tërë komunën, respektivisht në ato lokalitete ku ka hapësira të lira për fusha të vogla futbolli, basketbolli apo ndonjë veprimtari tjetër sportive. Problem më vete përbën mungesa e hapësirave që janë pronë komunale”.
“Natyrisht se përfundimi i palestrës së sportit është një ndihmesë e konsiderueshme edhe për KB Rahoveci, por edhe për sportin në përgjithësi. Mungesa e palestrës e ka ngushtuar hapësirën e të rinjve për t’u marrë me sport, sepse sporti kërkon shpenzime të mëdha. Ditë më parë në Rahovec ka qëndruar kryeministri Ramush Haradinaj dhe prej tij kemi marrë edhe një konfirmim se investimet në palestër do të intensifikohen. Po ashtu kemi edhe një zotim publik të Ministrit të MKRS-së Kujtim Gashi se palestra do të përfundohet këtë vit dhe këto janë lajme të mira. Presim që kjo të kryhet dhe më pas do të jemi në gjendje ti hyjmë punës për hartimin e një strategjie për sportin, që do të jetë afatgjatë. Pas kësaj jemi të bindur se ditë të mira e presin sportin në Rahovec, ndërsa të rinjtë do të kenë hapësirë të mjaftueshme për të dëshmuar cilësitë e tyre në degë të ndryshme të sportit”, u shpreh Hoxha.