Numri i lexuesve të bibliotekës komunale” Sulejman Krasniqi ” në Rahovec po shtohet dita- ditës me anëtarë të rinj nga të gjitha moshat, ndërkaq edhe anëtarësimi për një vit është simbolik, vetëm 1 euro ! Bibliotekisti Luan Danuza, thotë se biblioteka posedon një fond prej 10278 ekzemplare librash, nga i cili numër janë 2821 tituj.
Danuza thotë : ” Momentalisht biblioteka është e pajisur me lektyra shkollore, si për nxënësit e shkollave fillore dhe ato të mesme, ashtu që nxënësit nuk po kthehen duarthatë si viteve të mëparshme, por ekziston nevoja për pajisjen e librave që janë në përputhje me programet arsimore , ku numri momental i lexuesve është 800, nga i cili numër më shumë janë nxënësit të shkollës fillore, por edhe ata të shkollave të mesme dhe punëtorët.”
Danuza thotë në vazhdim se në vitin 2015, Ministria për KRS e ka furnizuar bibliotekën 252 ekzemplare, gjegjësisht 165 tituj, ndërkaq Universiteti i Prishtinës me 410 ekzemplare, gjegjësisht 82 tituj. Ai thotë se e kanë dorëzuar regjistrin me libra të nevojshëm Ministrisë për KRS.
Qetësinë e enterierit të bibliotekës e shfrytëzojnë çdo ditë gjatë orarit të punës, dhjetëra student ,për përgatitjen e provimeve, duke shfrytëzuar edhe libra profesionale që posedon biblioteka.
Edhe drejtori i ri i Drejtorisë për KRS, Gardalin Shtavica, duke vizituar bibliotekën, ka premtuar që biblioteka do të furnizohet me numrin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm të librave, dhe ka apeluar te bashkëqytetarët të anëtarësohen, mbase edhe anëtarësimi është tejet simbolik, vetëm 1 euro për një vit kalendarik./Rahoveci24/