Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, ka treguar arsyet pse Lista për Familjen ka vendosur që për zgjedhjet e 28 dhjetorit të bashkëpunojë me PDK-në.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se vendi ka nevojë për unitet dhe largim të gjuhës së urrejtjes.
Ai ka sqaruar se ka pasur bisedime edhe me LDK-në, por në fund kanë vendosur që rrugëtimin politik të 28 dhjetorit ta bëjnë me PDK-në.
“Dua të iu falënderoj për qasjen konstruktive, ne kemi diskutuar natyrisht çështjen e zhvillimit të situatës, energjinë, aspektin social e familjen, kështu që kemi arritur dakordim të plotë në të gjitha pikat. Jemi dakorduar për angazhim të përbashkët, ruajtjen e familjes, si asnjëherë më parë. Me kryetarin Hamza kemi pasur bashkëpunime të vazhdueshme, edhe si figure ekonomike e profesionale, sot vendi ka nevojë të bashkojmë forcat e të bëjmë rrugëtim politik të dinjitetshëm. Sidomos LDK-në, dua të falënderoj për bisedimet konstruktive, por këto zgjedhje kemi vendosur të rrugëtojmë me PDK-në. Një prej arsyeve që sot kemi kandidat për kryeministër Bedri Hamzën. Më së shumti ka nevojë shoqëria jonë për unifikim, largim të gjuhës së urrejtjes”, ka thënë Rrahmani.


