Të premten, numri i dy i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nxori një vendim i cili parashihte zbritje të biletave të autobusit për disa kategori të shoqërisë.
Kështu, vendimi parashihte përgjysmim të çmimit të biletës për studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.
Ndërsa, fëmijët deri në moshën 6-vjeçare, sipas vendimit, liroheshin nga pagesa krejtësisht.
Por, vendimin që mban nënshkrimin e zëvendësministrit, Hysen Durimishi, e ka kundërshtuar Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve.
Këshilli i kësaj Shoqate sot nxori tre vendime, duke kërkuar që të shfuqizojë vendimin ekzekutivi kosovar dhe të subvencionojë transportuesit privatë.
“E para është se, këshilli drejtues përmes një kërkesë padie do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës Kushtetuese për shkeljet ligjore dhe mohimin e të drejtave tona, si treg i lirë dhe operator privat në sektorin e transportit rrugor”, tha para gazetarëve Ruzhdi Kurtishaj të dielën.
Ai tha se Qeveria e vendit ka 3 ditë kohë që të tërhiqet nga vendimi, në të kundërtën, sipas Kurtishajt, do të vazhdohet një protestë e cila ishte pezulluar kohë më parë.
“Vendimi dytë ka të bërë që, brenda tre ditës, në afat prej 72 orësh Qeveria ta anuloj këtë vendim. Ne presim reflektimin e Qeverisë në anulimin e këtij vendimi në afat prej 72 orësh”, deklaron ai.
“Vendimi i tretë ka të bëjë nëse nuk aprovohet kërkesa e dytë e jona, të organizohen protesta, në fakt protesta është e pezulluar dhe ajo vetëm do të vazhdohet. Ne presim reflektimin e Qeverisë”, tha ai.