Shkëlqimi dhe rënia ndaj Prizrenit: Notat e lojtarëve

KB Rahoveci ka pësuar humbje me rezultat të rregullt 98-93, por lirisht mund të thuhet se kjo është një “fitore” për ekipin kur dihet se 2 minuta para fundit Prizreni kishte epërsi prej 10 pikësh. Kjo do të thotë se në ndeshjen kthyese Rahovecit i duhet një fitore me 6 epërsi për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës Unike, aty ku na pret Peja.

Megjithatë, përkundër këtij rezultati pozitiv për Rahovecin, kjo ndeshje shënoi fundin e serisë prej 7 fitoreve rresht. Rahovecit për kualifikim i duhet fitore me 6 pikë epërsi në ndeshjen kthyese e cila zhvillohet në Rahovec – nëse Arbnor Rifati vërtet ka respekt për qytetin dhe dëshiron t’i kontribojë basketbollit me një mbrëmje të madhe përplot shikues.

Rahoveci24 ka analizuar në detaje këtë takim dhe po sjell notat e akterëve kryesor të këtij dueli që pati ngritje dhe rënie të shumta.

Ivan Koljevic – 9.0 (Man of the Match)


Pas një muaji epik me 8 ndeshje dhe 7 fitore, natyrisht qe edhe Ivan Koljevic mund të jetë prekur nga lodhja. Por, sigurisht, ai ka më së paku faj për atë që ndodhi mbrëmjen e kaluar.

Koljevic që përfundoi ndeshjen me 7 pikë e 7 asistime, në pjesën e dytë humbi disi ritmin nga zëvëndësimet e shpeshta e ngërçi mental që kaploi gjithë ekipin. Kjo nuk është përgjegjësia e tij. Në fakt, ai është një gjeneral në parket për KB Rahovecin. Ekuivalent i Chris Paul për ekipin e Phoenix Suns. Pasi në ndeshjet e kaluara e patëm pamundësinë për të shpallur Man of the Match edhe pse e meritoi plotësisht këtë epitet, Ivan shpallet nga  Rahoveci24 si njeriu i ndeshjes ndaj Prizrenit 16 sepse megjithatë në fund rezultati është pozitiv e si shenjë përkrahje për të që të vazhdojë performancat solide për klubin sepse është më se i nevojshëm për të përmbysur këtë disavantazh ndaj Prizrenit e po ashtu nëse dëshirohet diçka më shumë nga ky sezon.

T.J. Dunans – 9.0.

Do të kishte notë më të ulët po të mos ishte seria monstruoze në 2 minutat e fundit kur shënoi 5 pikë për të zgjuar nga ëndrra e kualifikimit Prizrenin e duke ua bërë të gjithëve me dije se asgjë nuk ka përfunduar ende.

Dunans përfundoi ndeshjen me me 24 pikë, 17 kërcime, 6 asistime dhe 3 topa të vjedhur, por në fund të qerekut të tretë e në fillim të qerekut të katërt i mungoi lidershipi në mbrojtje kur ekipi tregoi se kishte ngërç mental, po ashtu konsumoi shumë shuta të kontestuar.
Padyshim paraqitje e madhe individuale e T.J. Dunans, mirëpo jemi mësuar që atë ta shohim duke kontribuar më shumë në përgjithësi në aspektin e lidershipit, gjë që edhe e tregoi në 2 minutat e fundit të takimit, kur pothuajse ishim të vdekur në këtë seri.

Musab Mala – 9.0

Pa dyshim një prej më të mirëve bashkë me T.J. Dunans me një pjesë të parë të jashtëzakonshme dhe insirues i ngushtimit të epërsisë. U pengua nga një dëmtim në gisht të dorës, një lëndim që po vlerësohet aktualisht nga stafi mjekësor.

Musabi regjistroi 22 pikë, 7 kërcime e 6 asistime me indeks 25, një paraqitje shumë efektive e tij që kontribuoi që të dalim “me faqe të badhë” nga kjo ndeshje.

Fisnik Rugova – 9.0.

Për 30 minuta lojë regjistroi 16 pikë dhe katër asistime, edhe pse nuk shënoi asnjë treshe nga 5 tentime. Kontriboi më shumë në mbrojtje sidomos në pjesën e parë, çka mundësoi që Makol të ketë hapësirë për të dominuar koshin. Jo nata më e mirë në aspektin ofanziv, e po ashtu pritet lidership më i madh në momentet kritike sikurse ngërçi mental që kaploi ekipin në pjesën e dytë.

Fisi ka përvojën e duhur për të udhëhequr këtë ekip dhe për të mbajtur të unifikuar, andaj presim që të vazhdojë të jetë një faktor kyç i unitetit të ekipit, lojës ekipore dhe paraqitjeve që janë konstant të mira.

Reggie Jones – 7.0

Reggie Jones nuk pati impaktin e pritur nga trajneri duke realizuar vetëm 4 pikë, kurse në dy tentimet për tri pikë nuk qëlloi. As se si të gjejë veten Reggie Jones dhe të shpërthejë me potencialin që ka.

Banka Rezervë

Makol Mawien – 9.0.

Për vetëm 24 minuta lojë (rekord minutazhi këtë sezon), Makol Maëien regjistroi 10 pikë e 10 kërcime, pesë prej të cilave në sulm, e hiç më pak se 5 bllokada monstruoze.

Mundi të bëjë më shumë në pjesën e dytë sidomos në aspektin e kërcimeve. Është qendra më e mirë në ligë dhe duhet që patjetër ai të ketë më shumë minuta.

Edo Kryeziu – 8.5

Po të luante më fortë në mbrojtje duke e limituar Darrell Davis në pjesën e dytë, do të shpallej njeriu i ndeshjes. Asgjë nuk i mungoi në sulm, shënoi 10 pikë me tre treshe nga katër tentime, që është efikasitet i shkëlqyer për të nga banka rezervë.

Edo duhet të rrisë lojën në mbrojtje për t’i ndihmuar më shumë ekipit.

Trajneri

Ljupce Malinkov – 7.0

Nëse ka një përgjegjës që nuk triumfuam ishte defenitivisht trajneri, që besojmë se tashmë i ka adresuar faktet.

Ndryshe nga ndeshjet tjera dështoi që të kontrollojë takimin deri në fund, kur kishte momente që patëm epërsinë prej 10 pikësh.

Nuk kërkoi timeout në çerekun e katërt në momentin kur kundërshtarët shkuan në 10 epërsi, duke i ruajtur ato për fund, gjë që ishte lëvizje e gabuar. Ekipi pati problem psiçik dhe timeouti do të ishte zgjidhja e duhur për të qetësuar gjërat. Bëri shumë zëvëndësime çka edhe më shumë prishi balancat e ekipit.

E gjithë kjo ndikoi që Prizreni të kishte rrugën e lirë në kundërsulme ndaj një skuadre që zakonisht mbrohet mirë si Rahoveci.

Në çerekun e katërt Prizreni e mposhti Rahovecin 10-6 me kërcime dhe kishte një mori pikësh nga kundërsulmet. Si mund të kesh deficit në kërcime me dy qendra në lojë?

Malinkov i di mirë gabimet e tij. Të cilat, pa dyshim se do t’i përmirësojë dhe do të kualifikohemi së bashku, atje ku na pret Peja për finalen e madhe.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.