Shkatërrimi i dytë i Pejës: Notat e Lojtarëve

KB Rahoveci ka shënuar fitore të mrekullueshme me dy pikë epërsi në fund të takimit ndaj Pejës, çka kompletoi rezultatin më të mirë të mundshëm të një jave të mrekullueshme me dy shkatërrime të ekipit pejan.

Në një sallë të stërmbushur e me përkrahje të jashtëzakonkshme, Rahoveci arriti këtë fitore që ka peshën e sezonit. Më poshtë, sjellim vlerësimet e lojtarëve duke sjellë dritëhijet e një mbrëmje të mrekullueshme të basketbollit në Rahovec.

Musab Mala – 10 (Man of the Match)

Për njeriun e ndeshjes, nëse dilema pati ndeshjen e kaluar, kësaj radhe jo. Të gjithë e dimë se nëpër çka kaloi Musab Mala në ditën e ndeshjes së dytë ndaj Pejës, e megjithatë, arriti që të udhëtojë drejt Rahovecit për të ndihmuar ekipin e tij në një fitore e cila 99% shpëtoi sezonin e Rahovecit pas humbjes së Bashkimit nga Prishtina.

Harroni pikët – Lojtarët me mentalitet si Musabi janë të rallë dhe nëse është dikush që duhet të blindohet për sezonin e ardhshëm, atëherë ai është tashmë “djali i Rahovecit”, Musab Mala.

Ivan Koljevic – 9.5.

Nëse në dy ndeshjet ndaj Pejës ka dikush që i kemi hyrë në hak për “Man of the Match”, ai është Ivan Koljevic. Por, ashtu siç Ivan luan për bashklojtarët, ai duhet ta kuptojë se kur ke bashklojtarët të mirë gjithmonë sakrifikohet vetvetja.

Ivan Koljevic regjistroi 14 pikë, 7 kërcimë dhe 8 asistime, kurse futi në xhep Dardan Berishën për të dytën ndeshje rresht duke e limituar në vetëm 4 pikë. Nuk gjuan palidhje, por vetëm kur është i sigurt, solli vazhdimisht pikë në përiudha të vështira gjatë ndeshjes kur ndeshja ishte e ngushtë. Një gjeneral në parket, që do ta kishte notën 10 nëse nuk do të shpërdoronte aksionin e fundit, që rrezikoi fitoren.

Fisnik Rugova – 9.0.

Një tjetër paraqitje e madhe e Fisnik Rugovës në çerekun e katërt, pas agonisë në përiudha tjera. Bëri edhe mbrojtje më të mirë nga ndeshjet e kaluara, teksa në çerekun e katërt ishte i pandalshëm duke sjellë pikë të mëdha veçanërisht dallojmë ngulitjen duke vënë në postër kundërshtarin pas një depërtimi. Fisi regjistroi double double prej 15 pikë e 11 kërcimesh.

Në një ndeshje ku Peja “u shtrëngua” në mbrojtje ishte Fisi ai që solli pikët e rëndësishme kur duhej më së shumti andaj edhe kjo është një tjetër ndeshje me vlerësim të lartë për të.

T.J. Dunans – 8.5

Spektakolar si gjithmonë, T.J. është shndërruar në “mbretin e Rahovecit”, ku tashmë është pa diskutim idhulli i publikut dhe i fëmijëve që po merren me basketboll. Ai e ndjen dashurinë dhe respektin, ku edhe pas ndeshjes në qytet u argëtua duke thënë se është e pabesueshme respekti dhe dashuria që ka në Rahovec.

Kthehemi te loja – T.J. solli 14 pikë nga mbrëmja jo më e mirë e tij prej gjuajtjeve nga fusha ku regjistroi total 37% nga fusha, çka tregoi se Peja punoi për ta ndalur atë me ç’rast e detyroi t’i humbasë katër topa. Kontributi i tij më i madh në këtë ndeshje ishte në mbrojtje duke limituar në maksimum amerikanin Courtney Fells. Një tjetër notë e lartë për T.J. i cili konstant po tregon performanca të mëdha në dyja anët e fushës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Edo Kryeziu – 9.5.

2 pikë, 2 kërcime e 2 topa të vjedhur për Edon, natyrisht do të thuani se Edo nuk meriton notë kaq të lartë për shkak të këtyre statistikave.

Megjithatë, Edo ishte vendimtar në këtë ndeshje, duke arritur të vjedhë topin në aksionin e Pejës i cili po të shënohej e rrezikonte jashtëzakonisht shumë epilogun e takimit dhe sezonin. Vjedhja e topit nga Edo ka peshën e sezonit, andaj meriton vlerësim kaq të lartë e cila duhet ta motivojë atë për ndeshjet tjera të sezonit pasi edhe fitoi besimin e trajnerit për të startuar.

BANKA REZERVË

Makol Mawien – 9.5.

Qendra më e mirë në ligë. Përfundoi ndeshjen me indeksin më të lartë, krahas double double prej 14 pikë e 11 kërcimesh, çka tregon se krahas Fisit është kullë binjake e Rahovecit. Ka probleme me faula, çka ndoshta po ndikon që Malinkov të mos startojë me të e kështu po limitohet në mesatarisht diçka mbi 20 minuta në ndeshje të caktuara. Do të jetë esenciale që ai të startojë ndaj Prizrenit në mesjavë, pasi po kthehet Urim Zenelaj dhe na pret betejë e madhe nën kosh.  

Reggie Jones – 7.0.

Nuk është notë e keqe për amerikanin që nuk përmbushi ende potencialin e tij. Bëri mbrojtje të mirë në shumë raste dhe prandaj ka vlerësimin solid nga ana jonë.

TRAJNERI
Ljupce Malinkov – 9.0.

U prit që Peja të bëjë probleme dhe të vijë me koncept tjetër të lojës, çka limitoi maksimalisht Rahovecin në fitoren më të vështirë nga seria prej 7 sosh rresht.

Mbrojtje ishte edhe një herë e shkëlqyer e cila edhe e fitoi këtë ndeshje dhe praktikisht nota e lartë është falë mbrojtjes së jashtëzakonshme.

Nuk dihet arsyeja pse nuk starton me dy qendra, por ndoshta mund të jetë i limituar edhe nga fakti se Makol bën shumë faule. Ka edhe zëra që Makol nuk po zbaton si duhet mbrojtjen në PnR, nuk po i bën ndërrimet dhe po del nga koshi pa u ndërruar nga lojtar tjetër, duke lënë të thatë koshin për kundërshtarët. Sigurisht, Malinkov e di se pa Makol ndaj Prizrenit me Urim Zenelajn do jetë vështirë sidomos pas fitores ndaj Yllit, andaj pritet që të shohim nga fillimi “Kullat Binjake” në një paraqitje që kërkon përmirësim të madh në fazën sulmuese kur dihet se në ndeshjet me sistem vajtje ardhje ndaj Pontes do të vlejë diferenca e pikëve nga dy takimet. Menaxhimi i ndeshjes në momente kritike në përgjithësi ishte i shkëlqyer edhe kësaj radhe nga Malinkov.

A jemi për trofe pas fitores së shtatë rresht? Këtu mund të përgjigjet vetëm trajneri…por, në Rahovec ka filluar të mendohet edhe për një ecuri të thellë në playoff.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.