Sezoni veror në Rahovec ka qenë mjaft i zbehtë. Mos të themi më i zbehti ndër vite.
Kështu thuhet në një raportim të realizuar nga Rahoveci24, ku janë intervistuar persona të ndryshëm që veprojnë në komunën tonë, veçanërisht në qytet.
Mungesa e aktiviteteve në Rahovec ka bërë që të rinjt në Rahovec të gjejnë veten në Suharekë, Gjakovë e Prizren.
Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në punën e bizneseve vendase, të cilat flasin për një sezon mjaft të dobët veror, vihet theks i veçantë për bizneset e gastronomisë.
Një mërgimtar, në kushte anonime, i moshës në të 20-tat, tregon për Rahoveci24 se po shqyrton të mos vijë më në qytetin e tij për shkak se ishte atmosferë e zbehtë.
“I kemi këto dy javë për të pushuar dhe për t’u kënaqur. Nuk shkojmë në bregdetin shqiptar. Unë personalisht jo. Ata që shkojnë bëjnë mirë. Nuk shkojmë në Spanjë apo Greqi. Ne vijmë këtu dhe gjatë kësaj kohe tentojmë të kënaqemi sa më shumë. Kjo në Rahovec është e pamundur. Ka mungesë të madhe të aktiviteteve për të rinjt. Në përgjithësi mungon zhvillimi dhe kjo po ndikon edhe te ne rinia”, tregon mërgimtari.
Se të rinjt e Rahovecit po dalin në Suharekë, Gjakovë e Prizren, e konfirmojnë edhe përfaqësues të gastronomisë.
“Nuk mbahet mend sezon më i dobët si në aspektin e konsumit, ashtu edhe në aspektin e qarkullimit të përgjithshëm të njerëzve në qytet. Në ora 21:00 s’ke pasur më vetura, kurse mbajmë mend vetëm tri vite më parë bllokohej qyteti. Suhareka, Prizreni dhe Gjakova kanë shkuar përpara dhe ne kemi mbetur aty ku jemi. Kjo ka ndikuar që të rinjt të argëtohen e të shpenzojnë në këto vende. Ekziston frika se edhe më shumë do të boshatiset Rahoveci dhe bizneset do të shuhen një nga një”, u shpreh një gastronom që deshi të mbetej anonim.
Natyrisht, më shumë se sa problem, ky është problem social.
Por, kur tupani i problemeve sociale rrahet kaq fuqishëm, ai rrah për veshët e politikanëve tanë.
/Rahoveci24/