Rrugëtimi i vështirë drejt suksesit në Austri i vëllezërve Nuri dhe Adri Bugari

Djemtë e dëshmorit të kombit Abdullah Zijajdin Bugari, Nuriu dhe Adri, babai i të cilëve ra dëshmor më 18 korrik 1998 në betejën për çlirimin e Rahovecit, janë shembull i përkushtimit, vendosmërisë dhe angazhimit personal për arritjen e suksesit në jetë. Ndershmërinë dhe vullnetin për punë e kanë trashëguar nga babai, por edhe nga e ëma Alltëna, e cila rrjedh nga familja e madhe dhe e vyeshme rahovecase Haxhijaha. Nuriu dhe Adri tashmë kanë biznesin e tyre për riparimin e automjeteve të ndryshme në Linc të Austrisë, të njohur si “AutoNuri&Adri Bugari” dhe që gëzojnë respektin e komunitetit. Ata flasin me emocione për largimin nga Kosova, vështirësitë e përshtatjes dhe mundin e madh që kanë bërë për të përmbushur synimet e tyre jetësore. Gjithnjë duke u betuar në varrin e babait të tyre dëshmor, sikur dëshirojnë të na bindin se fjalët e tyre janë të vërteta, ata rrëfejnë me krenari për arritjet e tyre dhe përmbushjen e ëndrrave djaloshare, ndonëse përpjekjet i vazhdojnë me këmbëngulje për të qenë të mirë dhe më të mirë.
– Këtë e kemi amanet nga babai ynë, thonë Nuri dhe Adri.

Fillimi nga hedhurinat dhe vjetërsirat

Ne kemi ardhur në Austri në vitin 1998, menjëherë pas betejës së Rahovecit. Humbja e babait na goditi rëndë. Unë kisha 13 vjet kur erdhëm këtu, – fillon rrëfimin emocionues Nuriu. Motra i kishte kaluar 11 vjet, ndërsa Adri sapo i kishte mbushur 9 vjet. Në Rahovec lamë gjyshin Zijajdinin, gjyshen Nadiren dhe xhaxhain Ymerin me familjen e tij. Gjyshi dhe gjyshja shkuan në atë botë me mallin e pashuar për ne.
Fillimisht shteti austriak na strehoi në një shtëpi azilantësh në Sant Georgen. Kishim mbështetjen edhe të dajave, nipave të babait tonë dhe disa miqve e familjarëve, të cilët na ndihmuan. Afër shkollës tonë ishte një vend ku i hidhnin gjërat e vjetra dhe të dëmtuara. Çdo të premte pritnim makinën që sillte gjërat e vjetra dhe ne bënim përzgjedhjen tonë. Natyrisht, me lejen e punëtorëve të hekurishtes, merrnim biçikleta, video rekorderë, televizorë, radio dhe pajisje të tjetra shtëpiake. I bartnim rreth 2 km deri në qendrën e strehimit tonë. Pas një muaji e gjysmë i riparuam 38 biçikleta dhe i bëmë funksionale. Pastaj i huazonim në kundërvlerë të ndonjë shpërblimi të vogël, ndonjë dhuratë, veshmbathje apo ushqime të ndryshme. Këto ishin fillet e rrugëtimit tonë në biznes, tregon Nuriu.

Borëpastruesit e vegjël të zellshëm

Pas disa kohësh na larguan nga ajo qendër dhe na dërguan në Bad Krojcen, ku qëndruam nëntë muaj. Nuk dëshironim ta linim atë vend, sepse ishim përshtatur mjaft mirë me ambientin, mirëpo autoritetet nuk e morën parasysh vullnetin tonë.
Rajoni ku na dërguan ishte i futur thellë në mal dhe nuk kishte shumë lëvizje të njerëzve. Aty nuk kishim mundësi të merreshim me biçikleta, sepse ishte zonë malore dhe kishte fare pak banorë. Ishte dimër i ftohtë dhe vazhdimisht binte borë. Zgjoheshim herët në mëngjes në orën 5 e 30 dhe niseshim për në shkollë. Duke pritur kohën e mësimit në orën 8, nuk kishim çfarë të bënim, prandaj filluam ta pastrojmë borën në afërsi të stacionit. Ndërkohë pamë një plakë të vjetër që po mundohej ta pastronte borën para shtëpisë së saj. Ne i ofruam ndihmë dhe ajo pranoi. E pastruam për pak minuta hapësirën e saj. Më pas ajo na u lut që t’ia pastrojmë oborrin edhe një shoqes së saj plakë e cila jetonte e vetme dhe ne e bëmë pa përtesë. Ajo na dhuroi disa ëmbëlsira dhe ne i pranuam me kënaqësi. Mirëpo, pas kësaj puna jonë vazhdoi çdo ditë. Dhuratat u bënë të shumta dhe gjithfarësh. Dikush na jepte nga pak para e dikush ëmbëlsira e gjëra të tjera ushqimore. Më pas e blemë një automjet të vogël për pastrimin e borës dhe puna na u lehtësua shumë. Kjo na i shtoi fitimet. Sapo i kisha mbushur trembëdhjetë vjet, ndërsa Adri mbi nëntë.
Edhe pse shteti na siguronte ushqime e veshmbathje, por ato ishin të pamjaftueshme dhe rrobat e këpucët nuk na binin tamam për trupi. Nuri thotë se i kujtohet kur mbante këpucë me numër 40, ndonëse këmbën e kishte për numrin 32.

Rrugën e mbarë na e trasoi nëna

Nëna jonë rrjedh nga familja e madhe Haxhijaha në Rahovec. Ajo ishte mësuar të punonte edhe gjatë kohës sa ishte vajzë dhe i kryente të gjitha punët e fushës që i bënin edhe burrat. Ngiste traktorin dhe lavronte e bënte të gjitha punët që kërkoheshin në vreshta dhe ara. Kjo kulturë pune u bart edhe tek ne. Ndonëse ishte analfabete, ajo e dinte se çka duhet të bëjmë për të ardhmen tonë më të mirë. Më pas neve na bartën në Linc dhe na siguruan një banesë. Nuk dëshironim të shkonim në Linc, sepse ishim përshtatur dhe njerëzit na donin e vlerësonin për angazhimin tonë.
Nëna u punësua në një kompani të kompjuterëve dhe është marrë me mirëmbajtjen e hapësirës së kompanisë. Neve na pëlqente një kompjuter, por nuk kishim para për ta blerë. Atëherë, nëna vendosi që ta blejë kompjuterin dhe për dy vjet ajo punoi pa pagesë deri sa e pagoi atë. Në atë kohë nuk kemi ditur ta vlerësojmë se çfarë sakrifice po bënte ajo për ne, sepse kompjuteri ishte shumë i shtrenjtë, por tani dhe përgjithmonë i jemi mirënjohës asaj për këtë sakrificë. Kompjuterin e stolisëm me drita (LED) anash dhe e bëmë shumë të bukur. Ndonëse nuk e njihnim teknologjinë, ekzistonte rreziku që kompjuteri të digjej, por patëm fat. Me atë kompjuter vazhdimisht kërkonim pajisje dhe risi teknologjike. Pra, kompjuterin e përdorëm jo për të luajtur, por për të hulumtuar dhe mësuar gjëra të reja. Kjo na ndihmoi shumë për të ardhmen tonë.

Adrin e kishte goditur rëndë humbja e babait në luftë

Rrëfimi i Adrit është më prekës. Humbja e babait e kishte goditur rëndë në shpirt. Kishte vuajtur shumë dhe mungesën e tij e ka ndjerë vazhdimisht. Ai tregon për përjetimet e tij të rënda si fëmijë.
– Isha më i vogli në familje dhe më mungonte shumë babai, – thotë Adri. Qaja shumë dhe e thërrisja me zë të lartë emrin e tij. Kjo u bë shqetësim i madh për familjen tonë, prandaj edhe më dërguan për trajtim tek mjeku dhe terapia ka vazhduar për muaj të tërë. Mbyllesha në dhomë dhe qaja deri sa lodhesha duke qarë dhe deri sa më zinte gjumi. Fshija lotët që të mos më shihte nëna, motra e vëllai. Kaluan disa kohë dhe kjo gjendje u bë edhe më e rëndë. Vetëm familja më jepte ngushëllim. Rolin e prindit për mua e mori Nuriu, i cili më qëndronte gjithmonë afër. Më ngushëllonte dhe më mësonte si të sillem. Ne nuk merrnim pjesë as në lojërat e zakonshme të fëmijëve. Shihnim se shumë fëmijë argëtoheshin pa kufizime dhe madje disa pinin cigare e alkool. Kjo nuk ishte ajo që ne e dëshironim. U rikthyem në mënyrën tonë të jetesës dhe filluam shkollimin. Ishte shumë e vështirë, sepse kishim edhe probleme me gjuhën gjermane. Mësuesit na ndihmonin aq sa kishin mundësi, por gjendja jonë ishte e rëndë. Kishim përjetuar luftën dhe humbjen e njeriut tonë të dashur, babait – rrëfen me emocione Adri. Puna u bë terapia ime më e mirë dhe pasioni për vetura u bë mjeku im më i mirë. E tejkalova këtë situatë të vështirë vetëm me punë e përkushtim.

Nuriut iu desh ta niste shkollën nga fillimi

Edhe Nuriu ka kaluar nëpër periudha të vështira në jetë. Shumë të vështirë e pati përshtatjen me ambientin dhe shoqërinë e re. Kishte ngecje në mësime për shkak të luftës në Kosovë dhe vështrësitë gjuhësore e kulturore e kishin rënduar gjendjen e tij emocionale.
– Duke marrë për bazë ngecjet që kisha në shkollim në Kosovë, e kisha humbur hapin me bashkëmoshtarët e mi, – rrëfen Nuriu. Kisha ngecur në klasën e tretë, sepse lufta dhe rrethanat e jashtëzakonshme në vendlindje shkaktuan tronditje të mëdha në shpirtin tim. Mësuesit austriakë konstatuan se unë duhe të shkoja në shkollën për fëmijë me zhvillim të vonuar. Matematika ishte krejt e panjohur për mua. Mezi i dija numrat dhe disa llogaritje të thjeshta matematikore. Aty ju përkushtova shumë mësimit të matematikës dhe mësoja si i çmendur. Pas dy vjetësh arrita nivel të kënaqshëm dhe më pas më dërguan në shkollën profesionale për automekanik dhe autoelektricist. Të premten, të shtunën dhe të dielën shkoja në një firmë për të mësuar profesionin tim të preferuar.
Punova gjashtë muaj në kompaninë “Vehicle”, pastaj në VW dhe me orar të pjesshëm në një kompani për riparimin e automjeteve. Punoja nga mëngjesi deri në orën 16 e më pas në një garazhë tjetër deri në gjysmë të natës. Pas përfundimit të mësimit edhe Adri vinte tek unë dhe punonim bashkë. Një vit punuam pa pagesë, por pas një viti na paguante nga 5 euro në orë. Udhëtonim me biçikletë nga 12-15 km gjatë natës. Lodheshim shumë, por vullneti për të mësuar zanatin na jepte shtysë. Punonim si të çmendur, sepse gjithçka për ne ishte të mësonim profesionin. Në moshën 20 vjeçare unë e mora diplomën për automekanik dhe autoelektricist. Fillova punën në firmën “Autokreuz” dhe aty qëndrova një vit e gjysmë. Punoja edhe pas orarit të punës. Ndërkohë e gjetëm në internet një golf-3 që shitej në Salzburg. Shkuam me tren dhe e blemë. E ngamë pa targa deri në Linc. E riparonim dhe futnim gjëra të bukura në atë makinë. Kjo ishte makina e parë ku ne bënim çfarë të donim, sepse ishte e jona. Punonim shpesh deri në orën 4 të mëngjesit dhe shpesh flenim në garazhë. Zgjoheshim në orën 6 për të nisur punën për firmën.

Pasioni për veturat u bë dashuri për Nuriun dhe Adrin

– Mësova katër vjet në shkollë për riparim të veturave të dëmtuara dhe ngjyrosjen e tyre, thotë Adri. Ky u bë pasioni im i vetëm. Paratë e fituara i depononim në llogarinë e nënës, sepse ajo i ruante mirë dhe ishte nikoqire e mirë. Isha në vitin e tretë të shkollës profesionale kur shefit tim, Jozef Kramer në garazhë i ndodhi një fatkeqësi e rëndë dhe për një vit nuk mundi të dilte në punë. E vlerësoja shumë kujdesin e tij ndaj meje. Prandaj, drejtimin dhe menaxhimin e garazhës e mora përsipër unë. Ndër 23 nxënësit që e vijonin këtë kurs, unë u shpalla më i miri. Si nxënës merrja 1800 euro pagë, ndonëse isha ende praktikant. Aq shumë punoja sa që firma pati përfitime të mëdha dhe më shpërblente vazhdimisht. Shefi më çmonte shumë dhe më vlerësonte për punën me përkushtim dhe me dashuri që e bëja. Më linte dorë të lirë.

Nuri thotë se kujdesi ndaj parasë ishte çështje e veçantë e suksesit të tyre.
– Nuk shpenzonim shumë para për luks dhe gjëra të panevojshme. Mirëpo, ishim të pasionuar pas veturave. Ndërkohë e pamë në internet një veturë Golf-4 prodhim i vitit 2004, që ishte bërë me porosi, por që ishte aksidentuar. Vetëm 30 të tilla qarkullonin nëpër Austri në vitin 2007. Ne vendosëm që kjo veturë të bëhet e jona. Vuajtëm shpirtërisht e fizikisht deri sa e blemë me kursimet tona dhe e riparuam sipas dëshirës tonë. U bëmë pronarë të saj dhe u ndjemë shumë mirë. Ishte veturë e qejfit dhe e mbajtëm dy vjet.

Pas shumë sakrificash vjen shpërblimi – hapja e kompanisë “Nuri & Adri”

Ndërkohë na lindi ideja për hapjen e një garazhe personale. Nuk kishim as veglat më të thjeshta të punës, madje as çelësa dhe krik nuk kishim. Futnim goma për ta ngritur veturën dhe siguruar veten. Merrnim vegla hua dhe e kryenim punën. Kështu vazhdoi për tri vjet dhe pas kësaj kohe e rregulluam aspektin financiar e ligjor. Për të siguruar mjetet themelore të punës vendosëm ta shesim Golfin 4, që ishte aq shumë i dashur për ne. E shitëm dhe kemi qarë dy ditë si fëmijë. Nuk mund të pajtoheshim se kishim hequr dorë nga diçka e jona shumë e shtrenjtë. Golfin e kishim blerë 8700 euro dhe pas katër vitesh e shitëm për 18.000 euro. Kishim investuar shumë dashuri e kujdes në të. Ndonëse vetura ka qenë e aksidentuar, ne e kemi sjellë në gjendje të tillë teknike që ekspertët e veturave kanë konstatuar se ajo veturë nuk ka qenë e aksidentuar asnjëherë. Me ato para i blemë veglat tona dhe puna na ecte mjaft mirë. Tani e dhjetë vjet ne jemi të pavaruar dhe po punojmë intensivisht. Jemi pajisur me veglat më moderne të punës.
Garazhën e kemi ndarë në dy pjesë; një pjesë për riparim të motorëve, ndërsa pjesën tjetër për riparim dhe ngjyrosje të makinave të aksidentuara. Me çështjet e riparimeve të motorëve, mekanizmave dhe pajisjeve të tjera të makinave merret Nuri, ndërsa Adri bën riparimin dhe lyerjen e veturave të aksidentuara.
Mirëpo, vëllezërit Bugari nuk janë mjaftuar me sukseset e arritura. Ata vazhdojnë të investojnë në ngritjen e tyre profesionale dhe shpesh vijojnë kurse e trajnime të nivelit të lartë. Nuri thotë se risitë teknologjike janë sistematike dhe për të qenë në treg sa më atraktiv, vazhdimisht kërkohen njohuri të reja. Atyre nuk ju dhimbsen paratë për modernizim të teknologjisë së makinave më të reja.
– Me paratë e fituara kam vazhduar të vijoj kurse dhe trajnime për të përcjellë zhvillimet tekonologjike të makinave, thotë Nuri. Aktualisht kam fituar 67 diploma dhe certifikata profesionale. Posedojmë edhe kontrollimin teknik të makinave, që është arritje e madhe për një të huaj këtu. Me trajnime vazhdon të merret edhe Adri, i cili flet me shumë emocione për pasionin e tij; rregullimin dhe lyerjen e makinave.
Konsiderojmë se jemi ndër kompanitë më të besueshme dhe më profesionale në këtë rajon. Po punojmë shumë dhe angazhimi ynë është sistematik. Kompanitë më serioze kërkojnë bashkëpunim dhe ne ju ofrojmë ekspertizën tonë. Tashmë kemi arritur nivel të mirë profesional dhe klientët tanë çdoherë mbeten të kënaqur me shërbimet tona, rrëfejnë vëllezërit Bugari, të cilët nderin dhe përkushtimin e trashëguan nga i ati Avdullahu. Ata thonë se e kanë amanet nga babai të bëjnë punë të mira dhe të sillen ndershëm me klientët dhe bashkëpunëtorët.

Më 6 prill 2017
Linc – Austri
Qemaijl Krasniqi

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.