Ylli i KB Rahovecit, Bardh Rexha, ka folur për herë të parë që prej rikthimit në klub.
Nga e hëna klubi ka filluar stërvitjet me klubin e qytetit dhe Bardh Rexha i cili do të mbajë fanellën me numër 35 edhe për një edicion, thotë se rikthimi s’ka pasur si të mos ndodhte. Ai e konsideron obligim qytetar të që të luajë për klubin e qytetit.
“Nuk jam kthyer në Rahovec, kam qenë gjithmonë këtu. Është obligim dhe nder që të mbroj ngjyrat e qytetit. Mezi pres që të luaj për herë të parë pas disa kohësh në “Mizahir Isma” ku atmosfera, dhe gjithçka është si askund tjetër në Kosovë. Mezi pres t’i takoj të gjithë dashamirët e basketbollit dhe qytetit në palestër”, u shpreh ai duke folur për rikthimin në Rahovec.
I pyetur nëse ka pasur oferta nga klube tjera, Bardh Rexha tha se pas sezonit ku ishte monumental me Vëllaznimin si një makineri e double-double, ka pasur një varg ofertash jo vetëm në kampionatin kosovar, por edhe në rajon. Megjithatë, ai nuk tregoi emrat e klubeve për të respektuar klubet që u interesuan për të.
Rahoveci të dielën konfirmoi se Muhamed Thaçi, ish lojtar legjendar dhe tashmë trajner i njohur, për herë të parë ka shkelur kampionatin kosovar duke marrë në drejtim Rahovecin.
Bardh Rexha, i cili ka filluar stërvitjet me të, ka pasur fjalë të mëdha për Mujën, duke e cilësuar si trajner të madh.
“Gjeneratat më të vjetra më kanë folur për Mujën si lojtar, kam parë edhe video të tij në internet. Sidoqoftë, është krejt tjetër eksperiencë të punosh me një personalitet të tillë të basketbollit nga afër çdo ditë. Muja do të tregohet trajner i madh në basketbollin kosovar. Edhe pse ditët e para jemi duke u stërvitur, tashmë jemi si familje dhe do të jap gjithçka nga vetja për të përmbushur detyrat të cilat mi cakton trajneri. Mezi presim të shkojmë në stërvitje dhe të takohemi me bashkëlojtarët. Kemi motiv të jashtëzakonshëm dhe kjo rrjedh natyrshëm kur në stërvitje ke një trajner të tillë”, tha Rexha duke folur për Mujën.
KB Rahoveci është kritikuar për mungesë të ekipit. Tashmë është vetëm një lojtar i huaj i konfirmuar që ka arritur në vendin tonë, por duke parë numrin e vogël të lojtarëve vendorë, është kërkuar që edhe të tjerë të huaj kualitativ të vijnë.
“Besoj se organet e klubit e dinë më mirë se çka po bëjnë. Ajo që mund të them është se nëse vijnë lojtarë të huaj kualitativ, do të rritet shumë konkurrenca në grup dhe do të bëhemi shumë konkurrues në raport me top klubet. Nëse na vijnë të huaj kualitativ, besoj se të gjitha ndeshjet në shtëpi do t’i fitojmë dhe do të luftojmë me top ekipet. Megjithatë, ka kohë për gjithçka, e rëndësishme është të përgatitemi. Fokusin e kemi vetëm që të përgatitemi sa më mirë”, përfundoi Rexha prononcimin e tij për Rahoveci24.
/Rahoveci24/