Rahoveci e demoloi totalisht Pejën të mërkurën pasdite në një super ditë basketbollistike me rezultat 86-68.
Në këtë takim Rahoveci pati paraqitje shumë të mirë duke dominuar në secilën statistikë të mundshme, sidomos në fazën e sulmit.
Rahoveci24 ka analizuar këtë ndeshje dhe sjell notat e lojtarëve të Rahovecit për këtë takim.
T.J. Dunans – 10 (Man of the Match)
T.J. Dunans ishte i pakapshëm. Atë nuk e dallon veç loja spektakolare në sulm, por edhe mbrojtja premierë. Nëse ka dikush që meriton të shpallet MVP i sezonit nëse vlerësohen gjashtë ndeshjet e fundit atëherë ai është T.J., por për shkak se erdhi vonë, së paku duhet të shpallet Defensive Player of the Year sepse mund t’i mbajë lojtarë të të gjitha pozitave ku edhe u ka shërbyer qendrave për t’i ndihmuar.
T.J. Dunans u shpall lojtari i ndeshjes nga Rahoveci24 pasi regjistroi 18 pikë, 13 kërcime, 6 asistime, 3 topa të vjedhur e 3 bllokada.
Loja e tij ekipore, e bën edhe më të madh T.J. Ai shton shumë opsione për trajnerin në sulm pasi njeh lojën në Pick n’Roll duke dalë nga ana e djathtë dhe duke arritur të kolapsojë mbrojtjet kundërshtare me asistimet e tij të përkyera, teksa ka guxim të marrë përgjegjësinë kur askush tjetër në ekip nuk gjuan ose depërton duke nxjerrë gjithmonë së paku gjuajtje të lira, apo duke posterizuar këdo që i del përpara.
Ivan Koljevic – 10
Dy 10-she është e vështirë që të gjenden kur vlerësohet një ekip, por Ivan Koljevicit i hyjmë në hak nëse edhe notën ja ulim, pasi nuk e shpallëm Man of the Match, sepse absolutisht ai e meriton këtë epitet po aq sa T.J. Dunans.
Ivan e përfundoi ndeshjen PA ASNJË top të humbur, që është hera e parë pas shumë kohësh, ndoshta edhe vitesh që një playmaker bën 6 asistime dhe nuk ka top të humbur në 40 minuta lojë. Dikush nga FBK ndoshta mund ta hulumtojë këtë…
Koljevic e përfundoi ndeshjen me 12 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime, por harroni pikët: Ai është truri i ekipit në fazën e sulmit, duke arritur t’i jepë rritmin e duhur sulmit me ç’rast përshtatet me lojtarët tjerë. Aspak vetiak, prioritet e ka pasimin dhe jo shënimin, por di të qëllojë treshen atëherë kur askush nuk e pret me gjuajtjet karakteristike.
Koljevic është lideri tjetër i Rahovecit që merr përgjegjsinë dhe vrapon në mbrojtje duke i dhënë energji mbrojtjes edhe pas switchave (ndërrimeve të lojtarëve).
Nëse kontrollojmë xhepin e “Kolës” mund ta gjejmë Dardan Berishën i cili pati një nga performancat më të errëta në karrierën e tij glamuroze.
Ivan Koljevic nga ajo që flasin qytetarët, edhe stilin e jetës e ka tipik prej sportisti, çka po ndikon në rendimentin e tij të lojës. Pa asnjë dyshim, ai është playmakeri që i ka munguar Rahovecit për të synuar diçka më shumë, është çelësi i rikthimit pas një pjese të parë të sezonit “horror” ku ka merita edhe për ringjalljen e lojtarëve tjerë.
Fisnik Rugova – 9.0
“Fisi” e përfundoi takimin me 20 pikë dhe 7 kërcime, si top koshashënues.
I ringjallur pas ardhjes së Koljevicit dhe Mawien, Fisnik Rugova është më i lirë që të luaj lojën e tij, duke qenë lojtari që merr më së shumti gjuajtje nga të gjithë të tjerët.
Me gjuajtjen karakteristike në stil ylberi nga “Himalajet” ai po e elektrizon publikun, kurse e njeh mirë lojën në Pick n’Roll. Pason sa herë është i dyfishuar dhe vë bashkëlojtarët në pozitë për të shënuar.
Mund të bëjë shumë më shumë në mbrojtje, deri në masën sa nuk cënohet lodhja dhe efikasiteti i tij në sulm.
Musab Mala – 9.0
Musabi e përfundoi ndeshjen me indeksin 16, i treti më i lartë nga të gjithë lojtarët, duke kontribuar me 15 pikë dhe 7 asiste, statistika këto tejet impresive të tij që flet më së miri për rikthimin e madh të tij në ndeshjet e fundit.
Pas një gjysmë të parë të sezonit mjaft toksik, atij i erdhën bashkëlojtarët e përshtatshëm dhe tash po shkëlqen. Nuk është rastësore që Marin Dokuzovskit i pëlqen shumë Musabi – ai është i pakapshëm në kundërsulme duke dalë shpejt në fushën kundërshtare dhe duke shënuar apo ngulitur për të ndezur publikun.
Impakti i tij në mbrojtje është fantastik. Musabi është si rrufe. Nuk ka lojtar më të përgatitur fizikisht në ligë.
Rahoveci24 e kritikoi ashpër atë pas performancës në Kupë, por ajo i ka bërë mirë atij, duke u treguar një lojtar tjetër që prej atëherë. Musabi meriton respektin dhe i themi që të vazhdojë të punojë shumë ashtu edhe siç njihet, si puntor i madh.
Edo Kryeziu – 8.0
E priti gjatë momentin e tij. Që prej ardhjes në janar kur e zëvëndësoi Altin Morinën, Edo ka punuar dhe në ndeshjet e fundit po tregohet “vlera shtesë” nga banka rezervë. Sidoqoftë, ai startoi ndaj Pejës, një zgjedhje kontraverse e Malinkov që befasoi edhe vet Pejën, por që u tregua me vend.
Edo shënoi 9 pikë ndaj Pejës, kurse për t’u vlersuar është angazhimi i tij në mbrojtje e veçanërisht në sulm.
Ajo që po na bjen në sy te Edo është veçanërisht guximi i tij – nuk frikësohet të gjuaj apo të shënojë nga depërtimet, çka flet shumë për karakterin e tij shumë të nevojshëm për ekipin në këto ndeshje vendimtare për të shpëtuar sezonin. Trajneri e kritikoi që nuk i pasoi Musabit gjatë një depërtimi, por Edo tregoi se është në gjendje të finalizojë edhe vet, e këtë e dëshmoi më së miri ndaj Ponte Prizrenit ku u shpall Man of the Match.
BANKA REZERVË
Makol Mawien – 8.5.
KB Ylli ja kishte prerë biletën, por ai refuzoi duke ardhur në Rahovec. Makol sigurisht u bind se në Rahovec e ka shtëpinë e dytë dhe për këtë me siguri nuk është penduar kur erdhi nga zona e luftës Zaporizhya prej Ukrainës ku luajti këtë edicion.
Mawien për 26 minuta realizoi 12 pikë e 8 kërcime, por humbi tri topa çka ndikoi që ta ulim notën e tij.
Makol absolutisht terrorizoi qendrën e Pejës dhe ishte i pandalshëm nën kosh duke shënuar vazhdimisht dhe duke qenë një mur i gjallë bashkë me T.J. për dyshen Godfrey dhe Fells të cilët ishin inekzistent. Trapezi dhe koshi ishin zona të ndaluara për pejanët falë impaktit të Makol që për ne është Qendra më e Mirë në Superligën e Kosovës.
Ja ka lehtësuar barrën shumë Fisnik Rugovës, i cili mund të fokusohet që t’i sjellë pikë të dobishmë skuadrës.
TRAJNERI
Ljupce Malinkov – 10
Ndeshja ndaj Pejës ishte më e mira e Ljupce Malinkov që prej ardhjes së tij në qytetin tonë.
Ndeshja ndaj Pejës ishte në rrezik të rrëshqasë në dy momente, por Malinkov gjithmonë reagoi me kohë duke thirrur Timeout të shkëlqyeshëm që mundësuan që ekipi të konsolidohet mentalisht dhe të ruajë baraspeshën në parket pas serive të Pejës.
Malinkov inspiroi ekipin që të shkelë çdo gjë me intensitet dhe energji ndaj një ekipi të lodhur të Pejës, të ngathtë dhe pa pasionin e duhur.
Ljupce meriton notën maksimale për ndeshjen më të mirë të tij deri tash në Rahovec, por mbetet shumë punë për të bërë kur dihet kualiteti i skuadrave tjera.
Megjithatë, sipas nesh, vetëm Trepça duket diçka më e mirë në aspektin kualitativ se sa Rahoveci, të tjera ekipet janë lehtësisht të mposhtshme për të sepse ashtu siç tha ai vet: Në këtë palestër me këtë publik e tifozë mposhtim të gjithë rend një nga një.
Dhe, kur nuk ke milionat e Trepçës, atëherë pasioni që lloji i trajnerëve si Malinkov dinë të inspirojnë është faktori që bën diferencën.
/Rahoveci24/