Rahoveci pësoi keq nga Trepça, por ka tepër gjëra pozitive për t’u nxjerrë nga kjo ndeshje

KB Rahoveci ka pësuar humbje me 11 pikë epërsi në shtëpi nga Trepça në atë që ishte ndeshja e pare e teknikut Fotis Takianos.

Trajneri i ri i KB Rahovecit aplikoi stërvitje super intensive qysh në ditët e para të arritjes, çka ndikoi që lojtarët të kenë vështirësi në adaptim me teknikat e tij të cilat janë të nivelit më të lartë ndërkombëtar.

Krejt kjo ndikoi në formën fizike të tyre, kurse taktikisht po ashtu lojtarët dështuan të ekzekutojnë atë që u ka thënë trajneri në stërvitje dhe gjatë ndeshjes.

Takianos punoi shumë me ekipin në aspektin taktik, por kjo nuk u përkthye me rezultat pasi skuadra humbi me 11 pikë epërsi.

Sigurisht, kjo ishte vetëm ndeshja e parë dhe përpos humbjes, kishte gjëra pozitive për t’u nxjerrë.

Lëvizshmëria e lojtarëve pa top, pasimet e shumta dhe aksionet të cilat ekipi zhvilloi ndonëse jo me qartësinë dhe shpejtësinë e duhur, janë shpresë se po krijohet një identitet loje i ri dhe kulturë e re e ekipit që ka kualitete të mëdha.

Lëndimi i Jones nuk ndikoi aq shumë në ekipin, e këtu është rezultat i mbrojtjes së mirë dhe kompozicioni taktik të treguar në disa periudha të takimit, ndonëse jo gjatë gjithë takimit.

Takianos po punon dhe ka nevojë për kohë e besim nga ekipi dhe qytetarët, ndërkohë që tifozët duhet të përkrahin lojtarët të cilët ngadalë do të shndërrohen në bisha të pandalshme e kampionati do të frikësohet nga ky ekip jo më larg se pas 4-5 ndeshjesh kur do të fillojnë të vjelen frytet e para të punës së strategut të jashtëzakonshëm grek.

Nuk po hyjmë shumë në analiza tjera taktike – një gjë është e sigurt – Rahoveci do të jetë gati për një garë të madhe për titull.

Dhe, kurrë mos thuani kurrë… me këtë trajner dhe këtë ekip fantastik na lejohet të ëndërrojmë, e për këtë gëzon merita edhe kryesia për punën e shkëlqyer.

Të gjithë bashkë duhet të përkrahim njëri tjetrin sepse të gjithë kemi një ëndërr – dihet cila është ajo.

Nëse duam të arrijmë atë ëndërr dhe një playoff për mbamendje – duhet të vëmë gjithë besimin dhe mbështetjen te trajneri Takianos, lojtarët dhe kryesia.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.