Rahoveci me çmime astronomike të patundshmërise, si për toka, ashtu edhe për banesa

Në Rahovec kanë filluar ngadalë ndërtimet e larta, me hyrjen në fuqi të Planit Urbanistik dhe Hartës Zonale, e cila me gjithë problemet e vërejtjet që i ka, pritet që të nxisë investimet si nga ndërtimtarët lokalë, ashtu edhe nga vendet tjera.

Por, nëse je i ri e dëshiron të blesh banesë në Rahovec, atëherë do ta kesh shumë problem.

osa1

Kjo pasi që çmimi për metër katror sillet rreth 900 euro, kështu potencon Haris Mullabazi, drejtor i HB Real Estate, platformës më të re online e cila bën shpalljen e patundshmërive në shitje.

Rahoveci24 ka biseduar me z. Mullabazi, i cili ka treguar se çmimet për një ari tokë shkon deri te 15 mijë euro.

Këto çmime astronomike të banesave janë të tilla për disa arsye sipas Haris Mullabazit.

“Mesatarja e çmimit varion nga zonat në Rahovec si dhe nga kualiteti i pronës.
Sa i përket mesatares së çmimeve për tokë me mundësi ndërtimi në periferi të Rahovecit, ajo sillet rreth 10,000 euro për ari, ndërsa afër zonave më të dendura dhe lagjeve me ndërtim të mbushur shkon rreth 15,000 euro për ari. Për tokë bujqësore ka shumë parametra që ndikojnë çmimin, por mund të themi se mesatarja është 1,000 euro për ari.

Ndërsa, sa i përket banesave kolektive, duke marrë parasysh çmimin e lartë të ndërtimit dhe zhvillimin e ngadalshëm të Rahovecit në këtë drejtim, çmimi mesatar për m² sillet rreth 900 euro.

Lirisht mund të themi se çmimet janë shumë të larta në krahasim me zhvillimin ekonomik të Rahovecit dhe kthimin në investim që ofron qyteti. Megjithatë, disa faktorë kanë ndikim të madh në këtë situatë:

  • Numri i madh i blerësve potencialë dhe numri i vogël i shitjeve.
  • Blerja e shumë pronave nga një numër i vogël investuesish, të cilët i mbajnë pronat peng si aset investimi ose si kursim i sigurt.
  • Mentaliteti lokal i gabuar se “nëse shet, nuk i ke punët mirë”, pa e marrë fare parasysh mundësinë e investimit të mjeteve në aktivitete me kthim shumë më të madh investimi.
  • Diaspora e fuqishme, e cila konkurron me blerësit lokalë.
  • Numri i madh i pronave në shitje, të cilat nuk kanë qasje në treg.
  • Numri i madh i blerësve, të cilët nuk kanë qasje në informata mbi shitjet.

Ne si agjenci, duke u nisur nga të gjitha këto problematika dhe diskrepanca në tregun e shit-blerjeve të patundshmërisë në Rahovec, kemi zhvilluar këtë platformë për të ndihmuar në rregullimin e këtij tregu.

Ndikim të madh do të ketë transparenca e çmimeve të pronave, si dhe lehtësimi i qasjes në këto informata për të gjithë qytetarët tanë, sidomos për Diasporën, e cila deri më tani ka qenë e privuar nga këto informata”, u shpreh Mullabazi për Rahoveci24.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.